Gjevgjeli – Koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja, në mitingun parazgjedhor në Gjevgjeli, ka kërkuar mbështetjen e banorëve të saj për programin e tyre. Kandidatja për kryeministre të LSDM-së, Radmilla Shekerinska ka shprehur gatishmërinë nëse e merr këtë funksion të bëjë ndryshime në politikën tatimore, shëndetësore dhe investuese, si dhe në angazhimet për hyrjen e vendit në BE dhe NATO.
“Marrim përsipër, që paratë e qytetarëve t’i grumbullojmë në mënyrë të drejtë dhe t’i shpenzojmë me maturi. Të varfrit dhe të pasurit të mos paguajnë njëjtë. Prandaj, do t’i ndërrojmë tatimet”, ka thënë Shekerinska. Ajo ka paralajmëruar se në njëqind ditët e para nga qeverisja e LSDM-së, do ta zgjedhin problemin me të falimentuarit e Maqedonisë, do të sjellin ligj me të cilin nuk do të ketë pagë më të ulët se 9. 000 denarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, si edhe tri pako me masa për industrinë përpunuese, e cila është e zhvilluar në këtë rajon. Bartësi i listës në njësinë e katërt zgjedhore, Zoran Zaev i bëri thirrje për TV – duel kundërkandidatit të VMRO-DPMNE-së Zoran Stavreski. Ai ka thënë se do të ulet në Qeverinë e Shekerinskës që ta përfaqësojë pjesën jugore të Maqedonisë dhe të tregojë se atë që e ka bërë në Strumicë, mund ta bëjë çdo kund. Lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski para qytetarëve të Gjevgjelisë ka thënë se nuk kërkon funksion të ardhshëm, por, siç tha, dëshira, vullneti dhe motivi për fitore janë më të mëdha se kurrë.
“Gjendja në vend nuk është e mirë, shkohet në keq e më keq. Borxhi total është duplifikuar në 4 miliardë euro në pesë vjetët e fundit. Çdo e treta familje bën luftë për ekzistencë, derisa ekonomia po bie. Kjo qeveri harxhon para për projekte të kota dhe budallallëqe”, ka thënë Cërvenkovski.
Thursday, 26 May 2011 21:11