Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 18:10

Shkup – Partitë politike shqiptare gjatë fushatës zgjedhore premtojnë me të madhe, edhe pse janë të vetëdijshme se shumë nga ato premtime janë jokonkrete dhe të parealizueshme.

Njëzet vite me radhë, që nga pavarësimi i Maqedonisë, te partitë shqiptare frazeologjia politike është e njëjtë dhe shumica e premtimeve mbesin vetëm në letër, për shkak të përçarjes mes tyre dhe mospasjes së një strategjie të përbashkët kombëtare me të cilën do të paraqiten para palës maqedonase.

Kështu vlerësojnë analistët politikë të cilët theksojnë se partitë, duke synuar pushtetin, shpesh ulin dhe numrin e kërkesave të tyre dhe kjo rezulton në marrëveshje koalicioni me palën maqedonase për “badihava”.

Sipas analistit Mahi Nesimi, në këtë fushatë te shqiptarët nuk vërehet asgjë e re, është tepër shterpe, demagogjike dhe ende vendosen në spikamë çështjet të cilat 20 vite me radhë kanë qenë subjekt i fushatës politike. “Të gjitha gjërat që thuhen janë të karakterit politik, theksohen gjërat të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me atë që është e mundshme të bëhet, shumë çështje janë nebuloze dhe skajshmërisht të pasqaruara, të pakuptueshme dhe të parealizueshme edhe për ata që i thonë”, ka thënë Nesimi.

Sipas tij, dy partitë opozitare të cilat edhe vetë kanë qenë pjesëtare të koalicionit me VMRO-në, shigjetat i drejtojnë ka BDI-ja, duke e harruar edhe kontributin e vet për këtë gjendje të shqiptarëve të krijuar gjatë kohës kur ata kanë ushtruar pushtetin ekzekutiv.

“E gjithë fushata i ngjan një demagogjie të përkryer dhe harrohet se popullata  tanishme nuk është më në atë nivel sa të mos e kuptojë demagogjinë që servohet nga të gjitha partitë shqiptare”, ka vlerësuar më tej Nesimi.

Ndërkaq, për analistin Ibrahim Mehmeti, përpos që në pjesën politike nuk tregojnë ndonjë risi, këtë herë partitë shqiptare më shumë se herët tjera i theksojnë temat ekonomike, me këtë hapin dilemën se sa mund t’i realizojnë ata që thuan.

”Nëse në të kaluarën kemi pasur më shumë premtime në baza kombëtare, tash kemi dhe ato në bazë ekonomike, sepse e kanë kuptuar partitë se vetëm me pjesën kombëtare nuk shkon. Por, hisja që aq shumë përmendet aktualisht nuk është mall i babës plak, që të ndahet me hise, këto janë koncepte të tejkaluara dhe botëkuptime të cilat sundojnë në opinionin shqiptar. Por, partitë shqiptare duhet të ndërtojnë koncepte aktive dhe të realizueshme dhe jo të presin në mënyrë pasive të ndahet pjesë nga kulaçi i buxhetit shtetëror. Nuk na duhen zgjidhje mekanike por reale”, ka thënë Mehmeti.

Nga ana tjetër analisti Ismet Ramadani, ka thënë se shqiptarët tani e kanë më lehtë për të realizuar aspiratat e tyre se sa në kohën para 20 viteve, por fatkeqësisht mungesa e unitetit të tyre rezulton në premtime vetëm në letër.

”Tani shqiptarët kanë më shumë potencial dhe kapacitet për t’i realizuar kërkesat e tyre, sepse tani kërkesat tona janë të apsorbuara. Por çfarë bëjnë ata? Fatkeqësisht shkojnë me potenciale dhe kapacitete të ndara, prandaj gjithçka mbetet në kuadër të premtimeve dhe dyshoj se mund të realizohen”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, madje ka dallim në mes të asaj që shkruhet në platformë dhe paraqitjeve të liderëve. Sidomos, shton ai, ka disa oferta që janë shkruar mirë dhe janë konkrete, por që liderët shumë pak i plasojnë, sepse në vend të tyre ata e përdorin patriotizmin e tepruar, folklor politik dhe një frazeologji që përsëritet vite me radhë”.