Tetovë – Në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 5 qershorit, BDI mbrëmë ka vizituar fshatrat e komunës së Tearcës, ndërsa në Sllatinë ka prezantuar kandidatët për deputetë të njësisë zgjedhore numër 6 dhe platformën dhe programin e BDI-së për qeverisjen e ardhshme.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, duke folur para banorëve të komunës së Tearcës u shpreh se për 9 vite shqiptarët kanë mundur të shijojnë frytet e punëve të BDI-së, pasi të gjithë se bashku kemi punuar që këto procese t’i çojmë përpara për të mirën e të gjithë shqiptarëve.
“Që në fillim ne kemi kërkuar të bashkohemi, ne kemi kërkuar që të punojmë për të mirën e shqiptarëve dhe ju e dini se ne edhe dje edhe sot edhe nesër do të punojmë për të mirën të gjithëve. Kemi dëgjuar se kinse ne që zbritëm nga mali nuk ishim të ditur, se nuk dimë se çfarë është demokracia e politika, e kush është BE e NATO. Ato njerëz i kishin bërë hesapet gabim dhe e panë kush ishim ne, e shohin kush jemi ne. Këta njerëz hesapet i kishin bërë pa hanxhiun”, deklaroi Ahmeti para banorëve të komunës së Tearcës
Ne ndërtojmë vlera që na nderojnë si komb, theksoi kreu i partisë dhe shtoi se sigurisht që vlera e parë është arsimi, rilindasit tanë thonin: “vetëm dritë e diturisë do të na shpjerë përpara”. Vlera tjetër tha Ahmeti është respekt ndaj dëshmorëve, ndaj të gjithë plejadave që kanë kontribuar për kombin tonë. “Ne sot i ngrisim lartë e më lart nga Struga deri në Sopot të Kumanovës dhe në Serbi kemi depërtuar për t’i sjell dëshmorët tanë në Sopot, por të mos i lënë të prehen në dhe të huaj”.
Wednesday, 25 May 2011 09:51