Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 09:36

Strugë – Më 5 qershor Branko Cërvenkovski dhe banda e tij do të përjetojnë dështim katastrofal. Populli edhe kësaj radhe besimin do t’ia japë VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”, porositi mbrëmë në mitingun në Strugë, lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.

“Treguam se jemi Qeveri e përgjegjshme dhe se me këtë shtet mund të qeverisin politikanë të përgjegjshëm. Populli tregoi besim ndaj nesh pasi që gjatë viteve të kaluara me Maqedoninë qeverisnin hoshtaplerë të ndryshëm”, tha Gruevski, i cili përkujtoi se nëse mbeten në qeveri, prioritete të kësaj qeverie do të jenë Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe mirëqenia ekonomike e qytetarëve.

Gruevski tha se kanë bërë angazhime maksimale që të përmirësohet situata ekonomike dhe të tërhiqen sa më shumë investitorë të huaj. “Para se të trokasë kriza ekonomike botërore Maqedonia e përjetoi rritje më të madhe ekonomike në historinë e saj prej 6 për qind. Dy vjet para krizës botërore eksporti ishte 60 për qind, ndërsa në vend hynë investime të drejtpërdrejta të huaja në vlerë prej një miliardë euro, ndërsa papunësia u zvogëlua për dy për qind”, potencoi Gruevski.

Duke folur për emrin, ai e përsëriti qëndrimin partiak. “Nuk do të lejojmë çfarëdo zgjidhje e cila do të pranohet nga ana e politikanëve, Qeverisë dhe Kuvendit për të, të mos deklarohen edhe qytetarët. Për këtë çështje mbetemi fuqishëm në qëndrimin se do të organizojmë referendum ku qytetarët do të mund ta tregojnë qëndrimin e tyre”, theksoi Gruevski.

Bartësi i njësisë së pestë zgjedhore Antonio Milloshoski tha se këto zgjedhje do të jenë një lloj referendumi për Republikën e Maqedonisë. “Na nevojitet fitore dhe 62 deputetë në Parlament që të mos mundet askush të na kushtëzojë. Do t’i fitojmë të gjithë ata të cilët nuk kanë besim në popullin e tyre”, theksoi Milloshoski.