Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 21:16

Shkup – Në vazhdën e takimeve parazgjedhore, karvani i Demokracisë së Re (DR), ka vizituar fshatin Batincë të Shkupit. Para banorëve të Batincës kanë folur drejtuesi i Shtabit zgjedhor të kësaj partie, kandidatët për deputetë, si dhe kryetari i DR-së, Imer Selmani.

“Votuesve tanë u ofrojmë mundësi për një mënyrë ndryshe të politikbërjes shqiptare në Maqedoni. Gjithashtu, ne do të praktikojmë veprim ndryshe në politikën shqiptar që nuk do vrapojë pas politikave maqedonase, por do të prodhojë politika të veta”, ka thënë kryetari i DR-së dhe bartës i listës për deputet në njësinë zgjedhore nr. 1, Imer Selmani. Ai ka folur edhe për pjesën e programit të kësaj partie e që ka të bëjë më zhvillimin ekonomik, me krijimin e kushteve për një bujqësi të zhvilluar, për hapjen e vendeve të reja të punës.

“Shqiptarët janë popull punëtor, ata janë mësuar të jetojnë nga djersa e tyre. Në mesin e shqiptarëve ka njerëz të dijshëm, punëtorë, esnafë, të cilët kanë vullnet të investojnë dhe të sigurojnë kafshatën e gojës edhe për familjen e vet, por edhe për shumë familje tw tjera. Andaj, neve na mbetet vetëm t’u krijojmë kushte të volitshme që ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre, pa pengesw”, ka thënë Imer Selmani. Sipas kreut të DR-së, pasi të fitojë mbështetjen e popullit, DR-ja do t’ia imponojë qeverisë së ardhme zgjidhjen e problemeve ndëretnike dhe kontestin e emrit.

“Pa i zgjidhur këto probleme, Maqedonia do të mbetet peng i mungesës së vullnetit dhe guximit politik, e kështu edhe do të rrezikojë ardhmërinë e qytetarëve të saj”, ka thënë Selmani.