Tetovë – Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, kryetari i partisë, Ali Ahmeti, ka realizuar një takim pune me ambasadoren e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë, Ulrike Maria Knoc. Gjatë takimit, siç thuhet në kumtesën e BDI-së, bashkëbiseduesit kanë diskutuar lidhur me ecurinë e fushatës zgjedhore, sfidat që presin Maqedoninë pas 5 qershorit, angazhimin e mëtejshëm drejt përforcimit te arriturave, si rezultat i implementimit të Marrëveshjes se Ohrit, si dhe për çështjen e emrit, e cila në vazhdimësi parashtrohet si problem që ndikon në perspektivën euro-atlantike të vendit.
Ahmeti ka përsëritur edhe njëherë se Bashkimi Demokratik për Integrim po bën fushatë dinjitoze, prezanton të arriturat dhe planet për të ardhmen, të cilat burojnë nga Kongresi i dytë i Bashkimit Demokratik për Integrim, me theks të veçantë ndarja proporcionale e pushtetit.
Ai e ka siguruar mysafiren se BDI-ja, si subjekt me përgjegjësi të lartë për rëndësinë e proceseve, do të angazhohet maksimalisht për të siguruar një proces korrekt, të lirë dhe demokratik zgjedhor, ashtu siç ka ndodhur përherë kur Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë bartëse e përgjegjësisë institucionale si pjesëmarrëse në pushtetin ekzekutiv. Bashkëbiseduesit janë dakorduar se liderët duhet të dëshmojnë gatishmëri dhe kapacitete udhëheqëse dhe periudhën pas zgjedhjeve ta shfrytëzojnë për gjetjen e një kompromisi me fqinjin jugor që do të nënkuptonte anëtarësim në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE.
Gjithashtu, bashkëbiseduesit vlerësuan të arriturat e Marrëveshjes së Ohrit si model i shkëlqyer, i cili funksionon dhe mbështetet nga të gjitha qendrat e vendosjes dhe se çdo modalitet tjetër i ofruar do të jetë i papranueshëm.
Tuesday, 24 May 2011 20:11