Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 12:07

Dellçevë – Karvani zgjedhor i LSDM-së dhe koalicionit prej 15 partive ka qëndruar në Dellçevë të Shkupit, ku kanë prezantuar programin e tyre për zgjedhjet e 5 qershorit. Lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski ka porositur se më 5 qershor do të fitojë koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja dhe se pas kësaj date “populli do të jetojë pa frikë, shantazhe dhe kërcënime”.

“Jetoj për ditën kur flamuri ynë do të valëvitet në NATO dhe në të njejtën tavolinë do të ulemi me Amerikën”, ka thënë Cërvenkovski duke shtuar se është i sigurt se në Dellçevë do të fitojë LSDM-ja.

“Kandidatja për kryeministre Radmilla Shekerinska e kritikoi kryeministrin aktual Nikolla Gruevski se asgjë nuk ka bërë për afrimin e vendit në NATO dhe BE, edhe pse, theksoi, nëntë vite është në pushtet, prej të cilave pesë si kryeministër dhe katër si ministër.

“Ne, qeveria e re e LSDM-së, që në 100 ditët e para do të merremi me problemet më të hidhura në shtet, e ato janë lufta kundër varfërisë, zgjidhja e problemit me punëtorët e firmave të falimentuara dhe miratim të ligjit me të cilin do të sigurojmë që paga më e ulët të mos jetë më e ulët se 9.000 denarë. Për ata punëtorë që janë mbi 65 vjeç do të sigurojmë pension social shtetëror, ndërsa për të rinjtë kushte për punësim përmes investimeve të huaja dhe vendore”, ka thënë Shekerinska. Për personat e moshuar mbi 65 vjeç, shtoi, dhe për më të rinjtë se 14 vjeç ofrojmë mbrojtje shëndetësore pa participim. Banorëve të Dellçevës iu drejtuan edhe përfaqësuesi i PRSD-së Goran Misovski dhe kandidati për deputet nga Dellçeva Gollub Angellov. Ndryshe, karvani zgjedhor i LSDM-së dhe partnerëve të koalicionit dje qëndroi edhe në komunat Kamenicë, Pehçevë dhe Berovë, ku kishin takime me qytetarët.