Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 10:39

Ohër – Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar me aktivitetet parazgjedhore në qytetin e Ohrit, duke prezantuar kandidatët për deputetë të kësaj partie, platformën dhe programin për qeverisje në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë.

Para të tubuarve në sallën e Qendrës për kulturë, të pranishmëve pas shpalosjes së programit dhe platformës për këto zgjedhje, folën bartësi i listës së BDI-së për njësinë zgjedhore numër 5, Arben Labënishti dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Ne, asnjëherë nuk e harrojmë Ohrin, sepse është pjesë e trupit dhe gjakut tonë dhe ne kurrë nuk e harrojmë Ohrin. Nuk jam para jush për të thënë fjalë të mëdha, por unë besoj se ne do të jemi bashkë, si gjithmonë. Fatkeqësisht, BDI, partia e dinjitetit dhe arritjeve të shqiptarëve, në rrugën e saj është përballur edhe me akuza false dhe trillime me dashakeqësi, por unë dua të them se ne nuk jemi për përçarje por ne jemi për bashkim që ti arrijmë qëllimet tona që i meritojmë”, theksoi Labënishti.

Në vazhdim, Arben Labënishti, lidhur me paraqitjen e subjekteve të reja politike në skenën politike shqiptare shtoi se: “skenës politike shqiptare i janë shtuar edhe dy parti të tjera politike, që e mbajnë veten si parti të reja. Me keqardhje dua të them se ato e mbajnë veten si parti të reja, por radhët e tyre janë të mbushur plot e përplot me të vjetër. Se cilët janë ata do ti shofim pas 5 qershorit. BDI edhe pas 5 qershorit e ka interesin e shqiptarëve dhe të gjitha pakicave tjera kombëtare që janë bashkë me ne, qofshin turq, egjiptian apo boshnjak”.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, u përqendrua në Marrëveshjen e Ohrit, duke përmendur synimet dhe pjesët e realizimit të saj dhe pjesët e mbetura.

“Duhet ta kthejmë kujtesën para dhjetë viteve. Para dhjetë vitesh në këtë vend kishte vetëm 170 policë shqiptarë, sot janë përafërsisht 3 mijë policë shqiptarë dhe nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë. Kjo është Marrëveshja e Ohrit. Deri para dhjetë vitesh në këtë vend kishte 64 oficerë dhe nënoficerë shqiptarë, sot janë dy mijë oficerë dhe nënoficerë shqiptarë. Kjo është Marrëveshja e Ohrit. Deri para dhjetë vitesh asnjë shqiptar nuk ka guxuar të flasë me zë të lartë në Shkup, sot gjuha shqipe është në përdorim të plotë në organin më të lartë ligjvënës, në Parlamentin e Maqedonisë. Çdo dokument apo amendament, çdo ligj dhe komision, shkruhet dhe folet në gjuhën amtare shqipe. Kjo është Marrëveshja e Ohrit”, tha Ahmeti.

“Marrëveshja e Ohrit barazoi shqiptarët, maqedonasit edhe në arsimin e lartë sipëror. Sot pas dhjetë vitesh shqiptarët e kanë universitetin e tretë shtetëror me mbi 20 mijë studentë dhe ate të disperzuar, që studiojnë në kazermat e ish ushtrisë jugosllave”, deklaroi lideri Ahmeti.

Ai është pajtuar me konstatimet se nuk është përmbyllur plotësisht Marrëveshja e Ohrit.

“A ka përfunduar tërësisht Marrëveshja paqësore e Ohrit. Cdo dokument i rëndësishëm që arrihet me sakrifica i duhet kohë për implementim, për materializim të tërësishëm. Por vlerat që përmenda, që i prekin e i shijojnë, pjesa e ndarë e kombit shqiptar që jeton në viset e veta autoktone në Maqedoni. BDI-së nuk i mungon guximi, dija, nuk i mungojnë kapacitetet njerëzore. Punët e mëdha, lëvizjet e mëdha, ndryshimet e mëdha, duan edhe miq të mëdhenj, se pa patur miq të mëdhenj, nuk bëheshe as pavarësia e Kosovës, as barazia e shqiptarëve të Maqedonisë, as nuk ndryshonte kushtetuta e RM-së. Kur miqtë tanë kuptuan drejtë kërkesat e kombit tonë, kërkesat e popullit tonë, ata kaluan në anën e atyre që kërkonin atë që u mungon e ajo është liria dhe barazia kombëtare”, theksoi Ahmeti, duke shtuar se ky sukses duhet të ndahet bashkë me SHBA, BE dhe NATO.