Prespë – Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar me aktivitet parazgjedhore në qytetin dhe fshatrat e Prespës, duke prezantuar kandidatët për deputetë të kësaj partie dhe platformën dhe programin për qeverisje në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti duke folur para banorëve të fshatrave dhe qytetit të Prespës tha se sot më shumë se kurrë shqiptarët duhet të jenë të bashkuar dhe jo vetëm shqiptarët në mes vete, por duke i ofruar dhe duke i përkrahur edhe turqit, romët, boshnjakët dhe të tjerët që së bashku të arrijmë suksese më të mëdha.
“Unë i kam ftuar edhe më herët, por i ftoj edhe tani partitë e tjera që shqiptarët të bashkohen dhe veçanërisht në Prespë, Manastir, Priliep, Dollnen, Veles për shkak se vetëm kështu do të jemi më të fortë. Nuk është mirë që të ndaheni në parti mësallash, por bashkohuni me BDI-në për shkak se bashkoheni me projektin shqiptar të zhvillimit”, deklaroi Ahmeti para banorëve të Prespës.
Ahmeti foli edhe për rëndësinë e madhe që kanë edhe bashkësitë e tjera etnike në Maqedoni që t’u bashkohen shqiptarëve.
“Është për t’u përshëndetur puna e kryetarit të degës së BDI-së, këtu në Prespë për punën që bën me turqit dhe jam krenar që në vitin 2001 edhe pse turqit, romët, boshnjakët nuk kërkuan nga unë t’i bëj pjesë e Kushtetutës, por unë më vullnetin tim i bëra pjesë të kushtetutshmërisë së Maqedonisë edhe ata. Vetëm kështu, duke përkrahur njëri – tjetrin ne do të ecim përpara”, tha lideri i BDI-së, duke vlerësuar s’e të bashkuar jemi më të rëndësishëm.
Ahmeti ka folur edhe për të arriturat e BDI-së gjatë këtyre viteve.
“Jam krenar me të vërtet që kemi kthyer kazermat e ish-Jugosllavisë në fakultete. Si mos ndjehesh krenar, kur kemi Muzun kombëtar të gjuhës në Manastir, Muzeu në Shkup. Janë vlera që na nderojnë si komb”, potencoi Ahmeti duke shtuar se gjuha shqipe është zyrtare në Parlament, çdo ndërmarrje shtetërore është e obliguar që të respektojë përfaqësimin e drejtë të bashkësive etnike.
Lideri i BDI-së ka komentuar edhe disa zëra të cilën kërkojnë një marrëveshje të re me maqedonasit.
“Kam dëgjuar edhe nga ato që thonë se Marrëveshja e Ohrit nuk bën dhe se na duhet një marrëveshje e re. Të dashurit e mi, Marrëveshja e Ohrit është bërë me gjak. Sa më shumë të angazhohemi, sa më shumë ta kuptojmë drejt këtë Marrëveshje, aq më shumë do të përparojmë ne të gjithë së bashku”.
Ahmeti u ka bërë thirrje gjithë investitorëve shqiptarë, boshnjakë, romë, turq që të investojnë dhe se dyert e BDI-së për t’u dalë në ndihmë biznesmenëve janë të hapura.
Ai ka folur edhe për integrimin e Maqedonisë, duke e vlerësuar se integrimi në NATO dhe në EU është e vetmja alternativë e Maqedonisë, ndërsa zgjidhja e çështjes së emrit është poashtu e domosdoshme.
Prespa, tha Ahmeti, është e nderuar për shkak s’e për herë të parë në Prespë, kryetari i këshillit të qytetit është shqiptar. Ai bëri thirrje që më 5 qershor sa më masovikisht të dalin në votime shqiptarët, turqit dhe të tjerët, që sa më shumë të avancojmë çështjen kombëtare.
Tuesday, 24 May 2011 08:36