Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 12:03

Shkup – Karvani dhe takimet e krerëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), kanë vazhduar me takimet dhe tubimet me qytetarët në Jabollçishtë të Poshtme, Jabollçishte të Epërme, Vranjevc dhe në Buzallkovë.

“Përpiqem kudo që janë shqiptarë të kenë dinjitet dhe të jenë krenarë. Para nesh kemi çështje që kërkojnë zgjidhje, që nga ato madhore kombëtare, e deri tek ato të infrastrukturës. Ndaj edhe këtej kaluam nëpër komunën e Çashkës, ku pashë se gjuha shqipe dhe flamuri shqiptar valëvitet krahas atij maqedonas. Andaj, unë ju them se edhe ju s`jeni pakicë. Ne qëllimet tona akoma s’i kemi realizuar përfundimisht, prandaj e kemi moton ‘Bashkë drejt Qëllimit’. Në Vranjevc takova një plak dhe e pyeta se si është gjendja këndej, e ai mu përgjigj: se pas vitit 2001 gjendja ka ndryshuar për të mirë, pra ky plak më gëzoi shumë me atë që më tha dhe fillova të mendohem se ka shumë të drejtë, sepse gjuha shqipe në këto anë zyrtare dhe flamuri kombëtar valvitet në çdo anë”, ka thënë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Sipas tij, rinia e këtyre trevave duhet të shohë perspektivën këtu, e jo në Itali e Zvicër, andaj vetëm programi i BDI-së është më i miri dhe i krijoi kësaj ane mundësinë që të ardhmen ta shohin këtu.

“Ju premtoj se këtu vij për herë të fundit në rrugë të paasfaltuara dhe ju premtoj se kjo rrugë do të bëhet. Bëhuni bashkë që të fitojmë përfaqësuesin e kësaj ane në Parlamentin e Maqedonisë”, theksoi Ahmeti, duke aluduar në kandidatin për deputet Bujar Osmani.

Ndërkaq në tubimin në fshatin Buzallkovë, kreu integrist ka thënë se ka qenë për herë të parë në këtë fshat, duke thënë se nuk kishte imagjinuar që në një fshat të Velesit t’i këndohet komandantit legjendar dhe bashkëluftëtarit Adem Jasharit nga djemtë e kësaj ane. Ai ka përsëritur arritjet e BDI-së në planin politik, dispersimin e fakulteteve të USHT-së dhe projekte tjera shqiptare në Maqedoni.

“Të gjithë së bashku më 5 qershor t’i japin votën kandidatit Bujar Osmani në njësinë zgjedhore 3, i cili si djalë i ri ka sjellë shumë të arritura në sferën e shëndetësisë dhe spitalet gjithandej, që janë të mbushur me mjekë dhe specializantë shqiptarë”, ka shtuar Ahmeti.

Kandidati për deputet dhe bartës liste në njësinë 3, Bujar Osmani, në fjalimin në Jabollçishtë të Epërme ka thënë se në gjeografi kjo trevë njihet si qendër e Maqedonisë, por me mikpritjen që i bëjnë BDI-së, kjo zone, sipas tij, po bëhet kryeqendra e shqiptarëve të Maqedonisë.

“Mesazhi im është se fitorja e radhës e BDI-së është fitorja në këtë njësi, andaj unë jam shumë i nderuar që jam bartës në këtë njësi zgjedhore. Secili nga ne e ndjenë obligim kombëtar kontributin për këtë zonë. Fitorja është e padiskutueshme. Ju premtoj se i gjithë dokumentacioni për asfaltimin e rrugës është gati dhe shumë shpejt nisin punët në terren. Unë ju ftoj që më 5 qershor pa hamendje të votoni BDI-në”, ka thënë Bujar Osmani.