Shkup – Shqiptarët do të duhet përfundimisht pas këtyre zgjedhjeve të marrin një nga postet kyçe shtetërore siç është kryetari i Parlamentit apo i Qeverisë, ndërsa nuk përjashtohet dhe mundësia për udhëheqje me dikastere të rëndësishme si ajo e financave apo e punëve të jashtme.
Kështu të paktën premtojnë dhe kërkojnë partitë politike shqiptare gjatë fushatës zgjedhore, sidomos ato opozitare, ndërsa kërkesat e tillë mbështetet edhe nga disa organizata joqeveritare. Nga pavarësimi i Maqedonisë, për përfaqësuesit shqiptarë në pushtet gjithmonë ka qenë sfiduese udhëheqja e sektorëve më të rëndësishme në shtet por zakonisht kanë mbajtur funksionet dytësore si zëvendëskryeministra apo kanë udhëhequr sektorët të cilët në publik njihen si më pak të rëndësishme.
Deri më tani nga partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), vazhdimisht kemi dëgjuar se janë të angazhuar për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet vendore me anë të punësimeve të nëpunësve shtetëror. Ndërkaq, Ahmeti më konkret ka qenë gjatë Kongresit të dytë të kësaj partie në vitin 2009 në të cilën ka thënë se do të përmirësojë situatën me përfaqësimin e dobët të shqiptarëve në vendet udhëheqëse.
”Si ta ndërtojmë lojalitetin kur nga dymbëdhjetë vendet udhëheqëse kryesore në shtet asnjëri prej tyre nuk është shqiptar: As Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, as Ministri i punëve të Jashtme, i Mbrojtjes, Punëve të Brendshme, Shefi i Shtatmadhorisë, udhëheqësi i sigurimit publik dhe shtetëror, Guvernatori i Bankës Popullore, Kryetari i këshillit gjyqësor, Kryeprokurori, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar, apo nga bashkësitë tjera jo maqedonase! Mbetet që me angazhimin tonë dhe të subjekteve tjera kjo të përmirësohet”, ka thënë Ahmeti në Kongresin e dytë të BDI-së.
Por, një gjë është e sigurt, deri më tani asnjë parti shqiptare nuk morri këto pozita, madje as Guvernatori i Bankës Popullore nuk u zgjodh shqiptar edhe pse përflitej shumë se do të zgjidhej ministri aktual Fatmir Besimi. Aktualisht, Ahmeti në programin zgjedhor të BDI-së për vitin 2011 nuk ka përfshirë premtime konkrete të ngjashme me atë të Kongresit, por premton të angazhohet për avancim të mëtejshëm të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e Maqedonisë.
Nga ana tjetër, më entuziast këto ditë është shprehur oponenti i tij nga Partia Demokracia e Re i cili para banorëve të komunës së Butelit ka thënë se DR do të punojë me ngulm për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në të gjitha nivelet e pushtetit.
”Duke filluar nga kryetari i Parlamentit, ministritë e rëndësishme dhe resorë tjerë të cilat për herë të parë do të udhëhiqen nga shqiptarët me ardhjen e DR-së në pushtet. Ose do të pranohen kërkesat e shqiptarëve përmes programit të DR-së ose Maqedonia do të mbetet pa qeveri”, ka thënë Selmani.
Sa i përket Partisë Demokratike Shqiptare, lideri Menduh Thaçi kërkon ndryshime më të thella në procesin e vendimmarrjes. ”Nuk mundet më, më tutje të shkojmë të lejojmë që vendimmarrja të jetë pjese e institucioneve në Maqedoni, s’ka lidhje se këta janë ma tepër se ne”, ka thënë Thaçi para banorëve të Çellopekut. Në platformën politike të kësaj partie qëndron se në ekzekutiv PDSH parasheh vendimmarrje me nënshkrime të lidhura, Kryeministri dhe një zv/kryeministër të marrin vendime me konsensus të plotë. Njëjtë dhe ministri dhe zv/ministri.”Vetëm në këtë mënyrë do të mund të sigurohen kushte elementare”, thonë nga PDSH-ja. Me qasje pak më ndryshe është lideri i Rilindjes Demokratike Shqiptare, Rufi Osmani i cili në tubim me banorët e Sarajit u ka bërë thirrje partive tjera politike shqiptare që pas zgjedhjeve të bashkojnë mandatet e tyre dhe të marrin institucionin e kryeministrit. “Unë sërish ua bëj ofertën të gjitha partive politike shqiptare pas 5 qershorit të bëjmë bllokun politik shqiptar të përbashkët, të bashkojmë mandatet tona politike dhe në këtë mënyrë të faktorizojmë përfaqësimin politik shqiptar që të mund në negociata me partnerët politik maqedonas të marrim hisen tonë në të gjitha drejtimet, të marrim institucionet kryesore që duhet t’i qeverisin shqiptarët. Dhe cili është institucioni që duhet ta udhëheqin shqiptarët? është institucioni i kryeministrit” ka thënë Osmani.
Friday, 20 May 2011 20:21