Tetovë – “Nuk do të lejojmë që shqiptarët e zhgënjyer të jenë në depresion për shkak të politikës së keqe të pushtetit aktual, as, madje, nuk do të lejojmë që shqiptarët, të cilët na përfaqësojnë në institucione, të vazhdojnë të na dëbojnë nga vendi për në vendet e huaja”, tha në tubimin e djeshëm në Çellopek, të komunës së Bërvenicës, Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së dhe bartës i listës për deputet në njësinë e gjashtë zgjedhore.
Sipas tij, kthimi i vetëm i proceseve integruese euroatlantike, si pika të larta në axhendën politike, mund të kontribuojnë për përmirësim të gjendjes dhe posaçërisht të mundësive për avancim të statusit të shqiptarëve, të cilët tani janë katastrofale për shkak të politikës së gabueshme të pushtetit.
Thaçi përkujtoi në dy pikat kyçe të platformës së PDSH-së, që parasheh marrëveshje të re midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Pika e parë, siç tha, është “ndarja proporcionale e buxhetit shtetëror, të cilin, tani, shqiptarët e mbushim me mbi 30 për qind, ndërsa si investime në shkolla, infrastrukturë në rrethinat, ku ata janë shumicë, fitojnë vetëm 2 për qind nga ai”. E dyta, konsenzusi i vërtetë në vendosje në nivel shtetëror.
“Në qoftë se më 5 qershor shqiptarët nuk e votojnë këtë platformë, ne do t’u japim dritë të gjelbër të gjitha subjekteve politike në botë, që të konstatojnë se shqiptarët janë të kënaqur me gjendjen ekzistuese në Maqedoni”, tha Thaçi para të pranishmëve.
Friday, 20 May 2011 13:04