Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 16:08

Kërçovë – Në sheshin në Kërçovë tubim ka mbajtur koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja. Lideri i kësaj partie Branko Cërvenkovski ka thënë se gjithçka i duket se viti 2002 dhe 15 shtatori do të përsëriten më 5 qershor të këtij viti.

“Ekonomia e Maqedonia po bie, investime të huaja nuk ka, numri i të papunëve po rritet, kjo qeveri shpenzon të holla për projekte si ‘Shkupi 2014’ për çka janë shpenzuar mbi 250 milionë euro. Askush nuk e di se sa do të na kushtojë kjo aventurë e tyre deri në fund”, ka thënë Cërvenkovski.

Ai edhe një herë i bëri thirrje liderit të VMRO-DPMNE-së për duel televiziv në cilindo qoftë televizion dhe me cilindo qoftë gazetar për prezantues.

Nga ana tjetër, kandidatja për kryeministre e LSDM-së Radmilla Shekerinska ka thënë se partia angazhohet që Maqedonia të hyjë në BE  menjëherë që do të thotë ekonomi më e mirë, më shumë vende pune, më shumë para dhe ulje e varfërisë së rritur.

Ndërkohë, bartësi i listës së LSDM-së në njësinë e pestë zgjedhore Jani Makraduli paralajmëroi investime të reja.

“Miniera ‘Osllomej’ nuk do të mbyllet. Do të hapet gërmim i ri në Popovjan me ç’rast do të vazhdojë shekulli i punës i termoelektranës”, ka thënë Makraduli. Ndryshe, Adnan Qahil nga Partia e Turqve u ankua se pushteti aktual më së shumti u ka marrë turqve, ndërsa Fiat Canoski nga PAE ka thënë se është zhgënjyer nga pushteti.