Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 19:11

Shkup – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov priti, të mërkurën, shefin e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e parakohshme, Xhulian Pil Jejts.

Siç bëri të ditur kabineti i presidentit Ivanov, nga takimi doli konstatimi i përbashkët se zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet ta konfirmojnë pjekurinë demokratike të vendit dhe kapacitetin e të gjithë pjesëmarrësve në procesin e votimit në pajtim me standardet më të larta demokratike.

Presidenti Ivanov theksoi se i respekton porositë pozitive nga shefi i Misionit vëzhgues.

“Zgjedhjet, si akti kulminant demokratik, janë kriter dhe kanë rëndësi të posaçme për përmbushjen e qëllimeve tona më të larta strategjike – anëtarësimin në BE dhe në NATO. Fuqimisht besoj dhe pres që gara të jetë konstruktive dhe të jetë garë legjitime për pushtet, garë e propozimeve dhe ideve. Dëshiroj të theksoj, se kush do që mendon të shkaktojë incidente apo parregullsi në zgjedhje, dhe me atë të na shkaktojë dëm të gjithë neve si shoqëri, do të përballet me përgjigjen më të ashpër të mundshme institucionale”, ka thënë shefi i shtetit të Maqedonisë.

Ndërkohë, shefi i OSBE/ODIHR-it, Pil Jejts, duke e informuar presidentin Ivanov për qëllimet, kompetencat dhe përgjegjësinë e misionti të tij, theksoi se në zgjedhje të gjithë pjesëmarrësit duhet ta përmbushin rolin e vet. Ai shtoi se misioni do t’i vlerësojë zgjedhjet nga aspekti i harmonizimit me parimet për procese zgjedhore demokratike, obligimet e ndërmarra nga të gjitha shtetet-anëtare të OSBE-së, si dhe me rregullativën nacionale ligjore. Vëzhguesit do ta analizojnë zbatimin e procesit zgjedhor nga disa aspekte, si puna e KSHZ-së dhe organeve zgjedhore, monitorimi i mediumeve, ditën zgjedhore. Raporti i Misionit vëzhgues do të jetë vlerësim real i bazuar në fakte”, theksoi Xhulian Pil Jejts.

Presidenti Ivanov përkujtoi se prej fillimit të vitit, personalisht ka thirrur disa takime të liderëve, me qëllim që ta nxisë dhe lehtësojë dialogun politik, të kontribuojë drejt zvogëlimit të retorikës së ashpër dhe animozitetit në hapësirën publike, të cilat reflektohen drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.

“Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, por edhe paraprakisht në disa takime të liderëve të cilat i kam organizuar, vazhdimisht bëj thirrje që të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor të sillen në mënyrë adekuate në niveë të zhvillimit demokratik të Republikës së Maqedonisë dhe përfitimeve të realizuara – kritereve të përmbushura për anëtarësim në NATO, gatishmëri për t’u filluar negociatat inkuadruese me BE-në. Pres që partitë politike, lidershipet dhe anëtarësia e tyre, në procesin zgjedhor t’u përmbahen kornizave të sjelljes së mirë publike, dhe në veprimin e tyre politik të udhëhiqen nga interesat e shtetit dhe të qytetarëve. Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e saj kanë dëshmuar se posedojnë kapacitet për të siguruar zgjedhje të drejta dhe demorkatike. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë posedojnë vetëdije të madhe politike dhe pjekuri për realizimin e zgjedhjeve të tilla. Fuqimisht besoj se kjo më 5 qershor edhe një herë do ta dëshmojmë”, theksoi presidenti Ivanov.