Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 18:18

Shkup – Sindikata e punëtorëve nga administrata, organet e jurisprudencës dhe shoqatat e qytetarëve (AOJSH) në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në aspektin politik do të jetë neutrale, gjegjësisht nuk do të lidhet për cilëndo parti politike dhe nuk do të ndikojë mbi anëtarësinë që të mbështesë ndonjë subjekt politik.

“Sindikata e AOJSH-së vlerëson se neutraliteti politik në ambientin e tanishëm politik në shtet do të ishte më racional nga më shumë aspekte, e veçanërisht nëse merret parasysh përvoja nga e kaluara – neutraliteti politik është opsioni më racional për sindikatën dhe anëtarët e saj”, theksoi në konferencë për shtyp kryetari i AOJSH-së, Peco Grujovski.

Sindikata njëkohësisht dërgoi edhe disa kërkesa deri te subjektet politike të cilat marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme, duke kërkuar nga ata nëse janë të pranueshme t’i kumtojnë publikisht. Kërkojnë garancë se rritja e pagave prej 10 për qind do të realizohet në afatin e caktuar, kthimin e orarit të punës prej 07:30 në verë dhe prej orës 08:00 në dimër, ndryshime në Ligjin për marrëdhënie pune dhe në ligjet për nëpunës shtetërorë, sjelljen e ligjit për paga në administratën publike, nënshkrimin e marrëveshjes kolektive të  gjitha niveleve, si dhe më shumë kushte për pension.

“Pavarësisht sa dhe nëse partitë politike dhe koalicionet do ta pranojnë sfidën tonë, Sindikata nuk do t’u japë rekomandime anëtarëve të saj për kë të votojnë por do t’i lë që vetë të përcaktohen kujt do t’i besojnë dhe kujt t’ia japin votën. Nëse ata të cilët do të na premtojnë plotësimin e kërkesave tona dhe vijnë në pushtet, Sindikata dhe anëtarët e saj çdo herë do të kenë të drejtë të kërkojnë realizim të premtimit”, tha Grujovski.

Pas përfundimit të zgjedhjeve nga AOJSH paralajmërojnë komunikim më intensiv me qeverinë e ardhme si punëdhënës për realizimin e kërkesave të tyre.