Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 16:38

Shkup – Secila parti politike tenton të zhvillojë fushatë më të mirë se tjetra duke filluar nga programi politik që e ofrojnë dhe deri te slogani me të cilin do të shërbehen gjatë 20 ditëve për t’i bindur popullatën se pikërisht ata e meritojnë besimin tyre.

Por, kush qëndron pas asaj skenografie mirë përgatitur në të cilën lideri dhe kandidatët e tjerë secilën fjalë e kanë mirë të menduar ndërkohë që nuk mungojnë as efektet skenike?

Siç mëson Lajmeshqip.com, përpos Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) e cila ka angazhuar ekspertë nga jashtë, partitë e tjera politike të bllokut shqiptar mbështeten kryesisht në kapacitetet e konsulentëve vendas.

Nga partia e Ali Ahmetit kanë bërë të ditur se përpos që realizojnë konsulta me ekspertë të komunikimit dhe marketingut nga agjencitë e vendit, marrëveshje kanë edhe me dy konsulentë nga SHBA.

”Për fushatën e BDI-së janë të angazhuar dy ekspertë nga Amerika të cilët tani janë në Maqedoni dhe po punojnë në këtë drejtim“, ka thënë Muhamet Hoxha nga BDI-ja, i cili nuk ka dhënë më shumë detaje në lidhje me emrin e kompanisë së huaj apo nëse ato kanë qenë më herët konsulentë të emrave të njohur politik amerikan. BDI të hënën, në Konventën e partisë bëri publik sloganin i cili është “Bashkë drejt qëllimit”. Edhe në zgjedhjet e vitit 2008, BDI kishte angazhuar dy konsulentë amerikanë.

Nga ana tjetër oponenti i Ahmetit, Menduh Thaçi, është mbështetur kryesisht në kapacitetet e personave të partisë së vetë.

“Këshilltarë nga jashtë nuk kemi, por këtë herë lideri ynë vendosi që të përdorë përvojën vetanake, ndërsa qasja e tij do të varet nga vetë takimet me qytetarët. Kemi këshilltarë vendas që janë në strukturat e vetë partisë, ndryshe nga 2008-ta, këtë herë do të jemi shumë modest”, ka thënë zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati.

Kjo parti përdor sloganin “Hajdeni me ne“, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2008 ka përdorur shërbimet e Drejtorit të Qendrës Amerikane për Hulumtime Ndërkombëtare dhe Strategjike, Janush Bugajski. Madje, nga shtabi i Demokracisë së Re (DR), kanë bërë me dije se nuk kanë angazhuar aspak ekspertë që do të jenë përgjegjës për fushatën por këshillat i marrin nga miqtë dhe simpatizerë të partisë, jashtë dhe brenda vendit.

”Ne si parti nuk kemi angazhuar të themi persona specialë të cilët do të përkujdesen për fushatën tonë elektorale. Dëgjojmë sugjerimet dhe këshillat e miqve, anëtarëve dhe simpatizuesve tanë në vend, por dhe jashtë vendit, Kosovë, Shqipëri si dhe Amerikë”, ka thënë zëdhënësi i DR-së, Arjanit Hoxha.

Sllogani i kësaj partie është “Bashkohu, ia vlen”. Sa i përket partisë më të re të Rufi Osmanit, Rilindja Demokratike Kombëtare, ata mbështeten kryesisht në njohuritë dhe sugjerimet që i kanë në partinë e tyre. ”Kemi fatin që në përbërjen e partisë tonë të kemi vetë specialistë të komunikimit dhe marketingut prandaj ne konsultohemi me to. Nuk kemi angazhuar persona nga jashtë“, ka deklaruar zëdhënësi i RDK-së, Armir Ramadani. Slogani i RDK-së është “T’a kthejmë krenarinë”.

Ndërkaq, dy partitë më të mëdha VMRO-DPMNE dhe LSDM për zgjedhjet angazhuan këshilltarë të huaj. Siç është e njohur, kandidatja për kryeministër i LSDM-së, Radmilla Shekerinska, ka angazhuar amerikanin Skot-Gudstajn, drejtor i jashtëm për internet, është përgjegjës për rrjetin social dhe për celularët në fushatën për kandidatin presidencial Barak Obama gjatë kohës së zgjedhjeve në SHBA në vitin 2008.  Ekipin e këshilltarëve të huaj të partisë qeverisëse, DPMNE-së, e përbëjnë gjermani Peter Radunski, anëtarë i CDU-së të Angella Merkel, amerikanët Ken Paton nga partia republikane dhe Xhejson Miko, ish këshilltar i kryetarit Boris Trajkovski, si dhe numër i madh eurodeputetëve nga partitë e djathta perëndimore, si dhe nga partia e kryeministrit italian Sillvo Berlluskoni dhe nga partia e Janez Janshas nga Sllovenia.