Shkup – Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), fushatën e elektorale për zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit e ka hapur nga Kondova e Shkupit. Lideri i saj Menduh Thaçi ka ofruar zgjidhje të problemeve te shqiptarët, duke bërë thirrje njëherësh që qytetarët më 5 qershor ta dënojnë politikën diskriminuese të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së.
Sllogani i PDSH-së është “Hajdeni me ne”, ndërsa, sipas Thaçit, projekti “Shkupi 2014” është diskriminues dhe një fotografi e politikës së Gruevskit, e cila patjetër duhet të ndalohet.
“Duke votuar PDSH-në, votoni për të drejtat e shqiptarëve. Votoni kundër degradimit të shqiptarëve që po ndodhë në tri vitet e fundit. Sytë e shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria janë të drejtuar kah PDSH-ja, ajo të luftojë kundër degradimit të shqiptarëve që po duket në shpërndarjen e parave nga buxheti, gjatë ndërtimit të kishave. Ky degradim do të ndalet më 5 qershor”, tha para simpatizantëve të PDSH-së, Menduh Thaçi.
Sipas tij, e tërë “Aleanca kuq e zi”, siç u shpreh ai, do votojë kundër kësaj qeverie.
Gjatë këtij tubimi parazgjedhor PDSH ka prezantuar edhe bartësin e listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie në njësinë zgjedhore 1, Bekim Fazliun.
Ai u ndal në politikën diskriminuese që ushtron pushteti ndaj shqiptarëve. “Në shtet sundon diskriminim ndaj shqiptarëve. Kondova, nga ku po fillojmë, do të jap kontributin maksimal për suksesin e PDSH-së në zgjedhje”, ka thënë Bekim Fazliu.
Tuesday, 17 May 2011 15:13