Kumanovë – Demokracia e Re (DR) e Imer Selmanit ka hapur fushatën zgjedhore në fshatin Mateç të Komunës së Likovës. Në këtë tubim morrin pjesë shumë anëtarë e simpatizantë të kësaj partie. Kreu i saj Imer Selmani ka thënë se duhet të ndëshkohet politika e BDI-së, pasi që edhe përkundër konfliktit të vitit 2001 ajo nuk e ktheu borxhin banorëve të Likovës.
“Mateni, mirë më 5 qershor se për kë do të votoni. BDI-ja na e dëmtoi historinë kulturën e fenë ku lejuan të ndërtohen kisha në sheshin e Shkupit edhe atë vetëm të fesë ortodokse. Këta duhet të dënohen. Ne do t’ua kthejmë dinjitetin kësaj zone ku me votën tuaj ne do të jemi e ardhmja juaj“, ka thënë Imer Selmani. Ai më tej ka shtuar se “nuk duhet këtyre qytetarëve t’u merren votat nga BDI-ja dhe siç pohoi, “t’u mashtrojnë me pak asfalt, sepse ata votuan projekte të Nikolla Gruevskit”.
“Ne kemi program për barazi kushtetuese i cili garanton ardhmëri. Dimë të marrim pozicionin e kryetarit të Parlamentit, dimë të udhëheqim komunat dhe dimë të avancojmë çështjen e statusit të shqiptarëve”, ka thënë ndër të tjera Selmani para simpatizuesve të Mateçit. Ndërkohë, bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 2,Bastri Bajrami ka thënë se ka ardhur koha që shqiptarët të përgjigjen. Sipas tij, ka kaluar koha ku shqiptarët janë popull zëvendësues. Ai ka shtuar se DR nuk do të shtrojë rrugë vetëm gjatë fushatës zgjedhore, por gjatë gjithë mandatit. “Maqedonia nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët. Ne do të ndërpresim diskriminimin që po bëhet. DR kundërshton ashpër paralajmërimet për masa ndëshkuese kundër shqiptarëve që kanë dashur të përfitojnë statusin e aziliantit në shtetet perëndimore. Ne rikujtojmë se Qeveria VMRO-BDI morri haraçin nga mijëra shqiptarë të cilëve u dha pasaporta me procedurë të përshpejtuar, tani ajo të njëjtëve ua përgatit edhe një gjobë me çka shihet qartë se qëllimi i saj është plaçkitja dhe diskreditimi i shqiptarëve të Maqedonisë”, ka thënë Bajrami.
Ndërkohë, Abedin Zymberi, kandidat për deputet në njësinë zgjedhore numër 1, ka thënë se më 5 qershor të vitit 2001 është çliruar Mateçi nga forcat maqedonase, kurse këtë herë më 5 qershor të këtij viti do të festojmë, “lirinë nga diktatura e BDI-së dhe VMRO-së”.
Madje, Qazmedin Shaqiri kandidat për deputet në njësinë zgjedhore numër 2 ka kritikuar BDI-në duke theksuar se çdo proces që ka fillim ka edhe mbarim ku periudhën e saj e cilësoi si “periudhë gjenocidi” dhe që tani e ka kapur një krizë morali.
“Jemi kundër politikës së BDI-së e cila politikë ka investuar në nënçmim, keqtrajtime, zhgënjim, tradhti diskriminim e refrene të tjera të cilët për votën e tyre po kushtëzojnë edhe më kafshatën e bukës. Në për këso gjëra kemi moral dhe jemi frymë e re e politikës”, ka thënë Qazmendin Shaqiri.
Tuesday, 17 May 2011 10:58