Shkup – Subjektet opozitare shqiptare e kanë vlerësuar si deklaratë boshe apelin e shefit të Shtabit Zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), se partia e tij heq dorë nga vendosja e flamujve partiak nëpër shtylla rrugore.
Por, partitë opozitare preferojnë të mos vendosin simbole partiake, duke dashur që me këtë të shmangin tensionet e mundshme mes militantëve partiak.
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit paralajmëron fushatë të qetë, pozitive dhe modeste.
“PDSH në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit do të zhvillojë fushatë të qetë, pozitive dhe modeste. Do të promovojmë një fushatë moderne, e cila do jetë e hapur për të gjithë qytetarët. Ne si parti preferojmë komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, ku prej së afërmi do t’ju elaborojmë platformën tonë politike”, tha Agon Ferati, zëdhënës i PDSH-së. Ai njoftoi se PDSH-ja në formë të organizuar nuk do të vendos flamuj nëpër vende publike, duke dashur të shmangë pakënaqësitë që mund të lindin nga mosmarrëveshjet midis simpatizantëve të partive politike.
Demokracia e Re (DR), parimin e mos-vendosjes së flamujve nëpër shtylla thotë se e ka respektuar shumë më herët se sa Abdylaqim Ademit, që është kujtuar tani për këtë.
“Ne edhe në zgjedhjet e vitit 2009 nuk vendosëm flamuj partiak nëpër shtylla. I bëjmë me dije Abdylqim Ademit se në disa vende që nuk janë afër shtabeve të BDI-së, ka flamuj të BDI-së në shtylla. Para se të japë deklarata të këtilla të shikojë oborrin e vetë dhe më pas të kërkojë nga dikush tjetër që të respektojë një gjë të tillë”, tha Arianit Hoxha, shef i Shtabit Zgjedhor të DR-së.
Sipas tij, DR-ja në 2009 nuk vendosi simbole partiake nëpër shtylla pikërisht për arsye të mos tensionimit të situatës.
Ndërsa burime partiake flasin se flamuj të BDI-së janë shfaqur në disa shtylla rrugore në Gostivar.
Edhe Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), e Rufi Osmanit sheh vetëm fjalë në deklaratën dhe apelin e Ademit por jo edhe vepra.
“Deklarata dhe apeli i shefit të Shtabit Zgjedhor të BDI-së edhe njëherë dëshmon se ato kanë vetëm fjalë dhe asnjëherë vepra. RDK-ja i apelon Ademit që të dalë pak në terren dhe të sheh se si partia e tij i ka mbushur me përplot flamuj partiak vendbanimet shqiptare”, tha Armir Ramadani, zëdhënës i RDK-së.
Përndryshe, ditë më parë Abdylaqim Ademi deklaroi se partia e tij ka marrë vendim që të mos vendos flamuj partiak në vende publike ose shtylla betoni me qëllim që të shmangen incidentet e aktivistëve të partive të ndryshme.
Monday, 16 May 2011 17:47