Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 09:26

Hagë – Prokuroria e Hagës po e shqyrton mundësinë që ish-komandanti i ushtrisë së Republikës Serbe, krimineli i luftës, Ratko Mlladiq të gjykohet së bashku me ish-liderin e serbëve të Bosnjës, kriminelin tjetër të luftës, Radovan Karaxhiq, por vendimi për këtë ende nuk është marrë, deklaroi mbrëmë këshilltari i i kryeprokurorit të Hagës Frederik Suinen.

“Po i shqyrtojmë të gjitha mundësitë. Sipas rregullave të procedurës, ekziston mundësi që këto dy raste të bashkohen. Prokurori ende nuk ka marrë vendim, ai tani po i shqyrton të gjitha opsionet”, tha Suinen.

Sipas Suinenit, një prej mundësive është që të dy proceset të bashkohen vetëm për nga disa pika nga aktakuza, duke e përfshirë krimin në Srebrenicë.

“Të gjithë dëshirojmë proces i cili nuk do të zgjasë shumë, i cili do të zhvillohet mirë dhe në të cilin të drejtat e të paditurit do të respektohen”, tha Suinen.

Mundësinë që Mlladiqit dhe Karaxhiqit t’i gjykohet bashkarisht, para disa ditësh nuk e përjashtoi as kryeprokurori Serzh Bramerc.