Shkup – 100 ditë pas emërimit të tij në postin e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shkup, Piter Sorensen do të largohet nga Maqedonia për të vazhduar misionin e tij diplomatik në Bosnjë dhe Hercegovinë. Vendimin për largimin e tij, të hënën edhe zyrtarisht e ka konfirmuar komisarja për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Eshton.
“Nuk mund ta mendojë dikë tjetër që do të ishte më i kualifikuar për të marrë përsipër rolin e kreut të delegacionit”, ka thënë Eshton pas marrjes së vendimit. Sipas saj Sorensen, është personi më i kualifikuar për të kryer postin e ambasadorit të BE, në Sarajevë. Diplomati danez, Piter Sorensen është jurist i diplomuar dhe gjatë këtyre viteve ka pasur poste të rëndësishme në të gjitha vendet e ish Jugosllavisë. Ambasadori Sorensen, gjatë viteve 2006-2009 ka qenë përfaqësues special i ish komisarit për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Havier Solana, ndërsa nga viti 2002 deri në vitin 2006 ishte zyrtarë i lartë i UNMIK-ut dhe drejtor i zyrës evropiane në Kosovë. Gjatë vitit 2000, Sorensen ishte i dërguari i posaçëm i sekretarit të Përgjithshëm të kombeve të Bashkuara për Ballkanin. Ndryshe Sorensen gjatë mandatit të tij të shkurtë ka zëvendësuar ish ambasadorin Ervan Fuere.
Monday, 30 May 2011 20:39