Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 16:52

Beograd – Avokati mbrojtës i të akuzuarit për krime lufte, Ratko Mlladiqi, ka thënë se ish-gjenerali i serbëve të Bosnjës është aq i sëmurë, sa që nuk do arrijë të jetë i gjallë deri në nisjen e procesit gjyqësor ndaj tij.
Avokati Millosh Shaliq, gjithashtu, kërkoi që një grup i mjekëve ta ekzaminojnë 69-vjeçarin Mlladiq.
“Ne kemi kërkuar një kardiolog, një psikiatër, një neurolog, një gastroenterolog dhe një ortoped, ta ekzaminojë Mlladiqin dhe gjithashtu kemi kërkuar mjekë që do t’i ndihmonin atij me problemet që ka me dëgjimin, të shikuarit dhe të ecurit”, tha avokati Shaliq.
Mjekët e Qeverisë së Serbisë tashmë kanë vlerësuar se ai do të jetë në gjendje që ta përballojë ekstradimin për në Tribunalin e Hagës, ku do përballet me akuzat për gjenocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.
Avokati mbrojtës i Mlladiqit ka thënë se gjatë ditës së sotme, ai do ta parashtrojë një kërkesë për apelimin e vendimit, që do ta transferonte Mlladiqin për në Hagë.