Lajme Shqip Saturday, 28 May 2011 17:51

Varshavë – Presidenti Gjorge Ivanov mbrëmë në Varshavë mori pjesë në darkën punuese, të cilën pjesëmarrësit e mbledhjes së 17-të të presidentëve të Evropës Qendore e patën me presidentin amerikan, Barak Obama.

Gjatë darkës Ivanovi  theksoi se Republika e Maqedonisë ka qenë vendi i vetëm në botë me kusht plotësues për anëtarësim në Kombet e Bashkuara, vendi i vetëm me kusht plotësues për anëtarësim në NATO dhe për integrim në Bashkimin Evropian.

“Republika e Maqedonisë dëshiron zgjidhje. Maqedonia konstruktivitetin e saj e demonstroi pak para samitit në Bukuresht. Sot kryeministrit Papandreu duhet t’i ndihmohet që të bëjë hap konkret”, tha Ivanovi. Duke iu përgjigjur presidentit të Maqedonisë, Obama theksoi se Evropa Qendrore dhe Lindore arriti sukses të jashtëzakonshëm, për të cilin duhet të krenohet.

“Maqedonia është shembull i përkryer. Gjithnjë kur do të takohem me presidentin e Maqedonisë, bisedojmë vetëm për çështjen e emrit. Kjo më frustron. Ju premtoj presidenti Ivanov se edhe një herë do të flas me Papandreun për këtë çështje. Besoj se edhe ai dëshiron dhe është i gatshëm për zgjeidhje”, iu përgjigj Obama, Ivanovit.

Obama, gjithashtu tha se të gjitha vendet në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë probleme individuale – etnike, politike, ekonomike.

“Të gjithë kemi probleme të ndryshme. Ne nuk jemi qenie të përkryera, por ajo që është më me rëndësi është që dallimet dhe problemet të zgjidhen në mënyrë të qetë, me mjete politike, dialog dhe përmes institucioneve”, tha presidenti amerikan.

Sipas tij, më me rëndësi është që të ktheheni në NATO dhe në BE, të mbahen të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë të kyçen dhe t’i plotësojnë kriteret. “Mesazhi im deri te të gjithë në këtë tryezë është që të jeni krenarë ndaj progresit, ne qëndrojmë prapa jush, do t’u mbështesim. Vetëm një gjë e kërkojmë nga ju, punoni së bashku me ne për demokracinë, lirinë, për qëllimet e përbashkëta. Ekipi im ka instruksione të qarta nga unë. Problemet e juaja vijnë deri tek unë edhe përmes ambasadorëve tanë dhe përmes Departamentit të Shtetit dhe përmes Uashingtonit. Ju bind se do të ketë rezultate nga bisedat tona sonte, theksoi Obama në bisedën me presidentin Ivanov në darkën e përbashkët.

Ndryshe, darka e punës e pjesëmarrësve në takimin e 17-të të presidentëve të Evropës Qendrore me Obamën kaloi në debat kryesisht konstruktiv, të hapur dhe produktiv, ndërsa temat qendrore ishin demokracia, demokratizimi, si t’u ndihmohet fqinjëve lindorë, situatës në Afrikën Veriore, Ballkani dhe integrimi i tij euroatlantik.