Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 23:07

Beograd – Gjykata në Beograd ka vendosur që Ratko Mlladiq të transferohet në Tribunalin e Hagës që të përballet me akuzën për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati mbrojtës i Mlladiqit, Millosh Shaljiq, duke i informuar gazetarët me vendimin, ka thënë se mbrojtja do ta apelojë vendimin të hënën.

“Gjykatësi më ka informuar mua, palët, prokurorinë dhe të paditurin se mjekët kanë arritur në përfundim se ai është në gjëndje që të përballet me procesin. Unë, personalisht, mendoj se ai nuk është në gjendje dhe se gjatë gjithë seancës dëgjimore, ai ka treguar shenja tërësisht të kundërta me ato që kanë thënë mjekët”, tha Shaljiq.

Mlladiqi u arrestua të enjten në një fshat në veri të Beogradit, pas 15 vitesh në arrati.

Seanca e parë e marrjes në pyetje është suspenduar të enjten pasi avokati i tij ka thënë se Mlladiq nuk është në gjendje të komunikojë për shkak “të gjendjes së tij të rëndë psiqike”.

Akuza kundër Mlladiqit përfshinë akuzën për gjenocid, në masakrën e 8 mijë burrave dhe djemëve të rinj boshnjakë, në Srebrenicë, në vitin 1995. Ky krim ishte konsideruar më i rëndi në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Djali i Ratko Mlladiqit ka thënë se i ati ka pasur dy infrakte në zemër, derisa ka qenë në arrati, dora e djathtë e tij është pjesërisht e paralizuar dhe mezi flet.