Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 22:13

Varshavë – Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot në Varshavë pati takime të ndara me presidentin e Gjermanisë dhe atë të Sllovakisë, Kristijan Vulf dhe Ivan Gashparoviq, njofton raportuesi i MIA-s.

Në takimin me Vulfin, Ivanovi kërkoi vendosshmëri dhe lidership nga partnerët evropianë dhe përsëriti se në majë të axhendës së presidentit është integrimi euroatlantik i Republikës së Maqedonisë, respektivisht fillimi i negociatave për anëtarësim në BE.

“Ndërtimi i raporteve të miqësisë dhe bashkëpunimit me Gjermaninë është një nga prioritetet më të larta në politikën e jashtme të Maqedonisë”, tha Ivanovi në takimin me Vulfin, duke shtuar se mbështetja gjermane për qëllimet strategjike të Maqedonisë është me rëndësi të jashtëzakonshme.

Lidhur me kontestin greko-maqedonas për emrin, Ivanovi hollësisht e njoftoi Vulfin me pozicionet maqedonase, konstruktivitetin dhe orvatjet që investohen në këtë proces, si dhe për interesin për zgjidhje të përbashkët të pranueshme dhe zhbllokim të integrimeve euroatlantike.

Duke kërkuar mbështetje edhe për Këshillin e ardhshëm evropian, presidenti i Maqedonisë potencoi se përcaktimi i datës për fillim të negociatave inkuadruese është i rëndësishëm për Maqedoninë dhe për proceset reformuese. Sipas tij, ky hap do të jetë i rëndësishëm edhe për mbarë rajonin, por edhe për kredibilitetin e zgjerimit.

Vulf shprehu respekt të lartë për reformat dhe arritjet e Maqedonisë, duke theksuar se zgjedhjet e ardhshme janë edhe një mundësi për konfirmim të kapacitetit demokratik të vendit.

“BE-ja duhet t’i propozojë përpjekjet e veta për integrimin e Maqedonisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Kjo është çështje e drejtësisë dhe çështje e kredibilitetit të vendeve-anëtare”, theksoi presidenti gjerman dhe shtoi se në interes të Gjermanisë dhe të BE-së është stabiliteti i plotë dhe prosperiteti i Ballkanit, në çka Maqedonia ka rol kyç.

Në takimin me Gashparoviçin është konfirmuar mbështetja e plotë e Sllovakisë për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe vazhdim të rrugës integruese drejt NATO-s.

“Pozicioni i Sllovakisë është i qartë. Republika e Maqedonisë është e gatshme për fillimin e negociatave me BE-në dhe Maqedonia meriton që t’i plotësojë të gjitha kriteret për anëtarësim në NATO”, theksoi Gashparoviç.

Edhe në këtë takim një nga temat ishte kontesti me emrin dhe në këtë kontekst Ivanov informoi për aktualitetet në procesin për tejkalimin e kontestit të imponuar. Ai theksoi se Greqia në mënyrë të paarsyetueshme e bllokoi Maqedoninë në këtë fazë të integrimit në Union, duke shtuar se vendi ynë vuan pasoja serioze nga këto bllokime në integrimet.

Presidenti sllovak e bindi Ivanovin se çështja për përkrahjen e Republikës së Maqedonisë do të jetë temë edhe e takimeve e Grupit të Vishegradit.

Në të dy takimet presidenti Ivanov i ftoi edhe Vulf dhe Gashparov për vizitë zyrtare në Maqedoni të cilët me kënaqësi e pranuan ftesën.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot dhe nesër në Varshavë merr pjesë në takimin e 17-të të presidentëve nga Evropa Qendrore. Në takim është kontraktuar që samiti i ardhshëm të mbahet në Ukrainë, në datën që do të përputhet me finalen e Kampionatit Evropian të Futbollit.

Në suaza të sëances, për sonte është e paraparë darkë e përbashkët e të gjithë presidentëve evropian me presidentin amerikan Barak Obamën, ndërsa do të bisedohet për përvojat e vendeve nga Evropa Qendrore në përparimin e demokracisë, prosperitetin dhe stabilitetin e Evropës, si dhe për revolucionet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, implikacionet mbi Evropën dhe mbështetjen për tranzicionin e tyre demokratik.