Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 11:33

Beograd – Ish lideri i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq nuk ka përdorur identitet tjetër dhe ka letërnjoftim të vetin, por me afat të kaluar, deklaroi zëvendëskryeministri serb dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq.

“Nuk janë të sakta informatat se Mlladiqi ka përdorur identitet të huaj, as se ka pasur dokument në ndonjë vend tjetër”, theksoi Daçiq, duke i demantuar informatat e botuara dje nga disa media serbe për arrestimin e burrit me emrin Milorad Komadiq.

“Më me rëndësi për politikën dhe stabilitetin e plotë të Serbisë është se arrestimi kaloi pa viktima dhe pa asnjë konflikt”, tha Daçiq dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta ruajnë paqen dhe stabilitetin në vend.

Ai theksoi se arrestimi i Mlladiçit është rezultat i strategjisë së re, zbatuar muajt e kaluar në arrestimin e personave pas të cilëve gjurmon Tribunali i Hagës dhe i bëri thirrje Goran Haxhiqit, pas të cilit gjithashtu heton Gjykata në Hagë, vullnetarisht të dorëzohet.