Shkup – Harta gjeopolitike e rajonit të Evropës Juglindore është skicuar, nuk ka as dëshirë, as vullnet, as parim, as mbështetje për çfarëdo ndarjesh të reja dhe hartim të kufinjve, përveç se kufizimin e tyre në nivelin e kufinjve administrativ evropian të vendeve që sot, nesër, apo në të ardhmen e afërt, do të jenë pjesë e familjes evropiane. Kjo ka qenë kundërpërgjigja e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Antonio Milloshoski pas deklaratës së zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, s’e zgjidhja më e mirë për Kosovën është ndarja e saj. Milloshoski ka thënë se çdo shtet në rajon, po ashtu edhe politikanët, duhet që problemet e tyre të brendshme t’i zgjidhin përbrenda mundësive të brendshme, e jo t’i transferojnë problemet e tyre të pazgjidhura, duke ju krijuar probleme të tjerëve. “Kufijtë do të bëhen aq të parëndësishëm me vetë bashkimin e vendeve në rajon dhe në Evropë, që do të na jep një dimension të ri për bashkëpunim, mirëkuptim dhe përparim. Mesazhi im është se harta gjeopolitike e EJL-së dhe e rajonit është mbyllur dhe se këtu nuk ka më shumë vend për asnjë ide të madhe shtetërore. Ideja e vetme e madhe, e cila është e mundshme në Ballkan, është ideja për Evropë të Madhe. Zgjidhjet nuk janë kufinj të rinj dhe ndarje të reja, por zgjidhja është bashkimi në të cilin kufinjtë, sipas ‘yrnekut’ evropian do të bëhen aq të parëndësishëm sa që vetë bashkimi i vendeve të rajonit dhe Evropës do të japë dimension të ri të avancimit, paqe dhe zhvillim”, ka thënë Milloshoski. Për pengesat, gjegjësisht problemet me të cilat ballafaqohet shteti në rrugën drejt anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në BE, Milloshoski ka thënë se për të gjitha çështjet do të diskutohet, por mbetet të punohet në detyrën vendore, gjegjësisht siç tha “reformat janë angazhim i yni, të cilin do të vazhdojmë ta udhëheqim në vazhdimësi”.
Vizitën e të shtunës në Ohër, bashkë me eurodeputeten nga Suedia Ana Ibrizagiq, Milloshoski e vlerëoi si një mundësi të mirë për prezantimin e Maqedonisë si pjesë e pashkëputur e civilizimit dhe kulturës evropiane. Eurodeputetja nga radhët e Partisë së matur suedeze në grupin e Partisë evropiane popullore, e cila në përvojën e saj aktive prej shtatë vjetësh në politikën e jashtme të BE-së, me këtë rast ka thënë se Maqedonia është vend evropian dhe vendi i saj është në BE.
“Ne po përpiqemi nga Parlamenti Evropian të dërgojmë sinjale të qarta politike, në lidhje me vazhdimin e procesit të zgjerimit të BE-së. Pavarësisht ndarjeve të caktuara dhe mëdyshjeve për këtë çështje, kur bëhet fjalë për Republikën e Maqedonisë, këtu nuk ka hamendje se jeni të mirëseardhur”, ka thënë ajo, duke theksuar se në secilin raport të deritanishëm të Europarlamentit, në mënyrë pozitive është vlerësuar puna e Qeverisë, para së gjithash duke i theksuar këtu reformat në sferat si: arsim, gjyqësi, administratë publike.
Sunday, 22 May 2011 09:25