Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 09:44

Ohër – Nëse viti 2010 ishte i përmbylljes së kornizës juridike në zbatimin e reformave gjyqësore, viti 2011 është vit i implementimit të ligjeve dhe ndryshimeve ligjore. Aktivitetet të cilat do të thonë përgatitje e të gjitha subjekteve në zbatimin e ligjeve janë në rrjedhë intensive dhe po zhvillohen në pajtim me dinamikën e përcaktuar, ka thënë ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manevski në fjalimin para pjesëmarrësve të Takimit të 64-të të juristëve të Republikës së Maqedonisë që mbahet në Ohër.

“Me zgjidhjet e reja ligjore do të mundësohet zgjidhje më e shpejtë dhe më kualitative e lëndëve në gjyqësi dhe do të krijohen kushte gjykatat mos të merren me atë që me të vërtetë është kompetencë e tyre, ndërsa ajo është zgjidhja e kontesteve penale, ekonomike dhe qytetare”, ka thënë ministri Manevski. Ai sqaroi se sivjet do të bëhet implementimi i zgjidhjeve të reja ligjore, siç janë ligjet për procedurë penale, për procedurë gjyqësore, për përmbarim dhe Ligji për kontestet administrative, me të cilat në mënyrë komplete ridefinohen pozitat nga palët në procedurë dhe i përcaktojnë afatet e proceseve në të cilat duhet të ndërmerren veprime të caktuara procesore. “Këto janë afate të rregulluara me Ligjin për procedurë gjyqësore, ndërsa janë në funksion të përshpejtimit të procedurës, sigurimit të objektivitetit dhe përcaktimin e gjendjeve faktike në kohë, pa keqpërdorimin e autorizimeve të palëve në procedurë”, theksoi Manevski, duke shtuar se punë gjyqësore do të mbeten vetëm rastet kontestuese të cilat duhet në mënyrë efikase të zgjidhen, në pajtim me dinamikën e caktuar. Siç sqaroi ai, ky front i gjerë i aktiviteteve të ndërmarra ka të bëjë me gjithë korpusin e lëndëve qytetare të cilat ndodhen në gjykatat. “Ajo që është e rëndësishme është që në ligjin për procedurë gjyqësore është paraparë nga muaji i ardhshëm dhënia e urdhëresave pagesore të transferohet në kompetencat e noterëve, njëjtë si edhe lëndët përmbaruese të cilat akoma janë në gjykatat të shkojnë te përmbaruesit. Pagesa e gjobave për shkelje dhe vepra penale prej 9 shtatorit të këtij viti shkon në kompetencë të Drejtorisë së të ardhurave publike, ndërsa tek noterët janë lëndët e trashëgimisë kështu që pritet me këto reforma të mëdha në gjykatat të mbeten vetëm rastet gjyqësore kontestuese dhe të njëjtat të zgjidhen në afate të caktuara”, tha Manevski duke shprehur bindje se në këtë mënyrë gjykatat do të shkarkohen për reth 800 mijë lëndë. Në takimin dyditor të juristëve në Ohër marrin pjesë mbi 250 juristë, përfaqësuesë juridikë të firmave, shoqëri tregtare private, të institucioneve publike, noterë, gjykatës, përmbarues dhe subjekte të tjera të jurisprudencës.