Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 14:16

Shkup – Në listat zgjedhore në Maqedoni janë zbuluar dhjetëra qytetarë që kanë ndërruar jetë, por që ende figurojnë në lista si votues edhe për zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit.

Në qytetin e Manastirit janë zbuluar këto ditë dhjetëra shtetas nëpër listat e votimit, të cilët që moti kanë ndërruar jetë. Njëra prej tyre është edhe Panoreja Zaharopulo, që tani rezulton me 107 vjet, mirëpo që moti ajo ka ndërruar jetë. Fqinjët e saj nga lagja e vllehwve në Manastir kanë thënë se ajo ka ndërruar jetë para disa viteve, por janë të çuditur se ajo si figuron ende në listën e votimit.

Janë edhe dhjetëra të tjerë 100-vjeçarw që gjithashtu janë gjetur nëpër lista në Manastir. Raste të tilla janë zbuluar edhe në Shkup dhe në qytetet tjera në Maqedoninë Lindore, si Kërçovë, vota e cilëve do të rezultojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit.

Mbi 20 mijë veta ishin pastruar nga listat e votimit, pasi që pjesa më e madhe e tyre ka ndërruar jetë, dhe pjesa tjetër nuk janë shtetas të Maqedonisë. Nga shifrat e deritanishme zyrtare, numri i votuesve në Maqedoni rezulton të jetë mbi 1 milionë e 793 mijë votues.

Në Maqedoni është duke rrjedhur afati për grumbullimin e nënshkrimeve për propozimin e listës së kandidatëve për deputetë në Parlamentin e Maqedonisë nga grupi i zgjedhësve, që filloi më 25 prill, ndërsa sipas librit të afateve të Komisionit shtetëror zgjedhor duhet të përfundojë më 4 maj. Afati i njëjtë vlen edhe për grumbullimin e nënshkrimeve për propozim të listës së kandidatëve për deputetë në Parlamentin Maqedonisë nga diaspora, duke pasur parasysh atë që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare për herë të parë do të kenë mundësi të propozojnë kandidatë dhe të votojnë qytetarët e Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë vendit.

Listat e kandidatëve për deputetë, të autorizuarit e propozuesve duhet t’i parashtrojnë në KSHZ më së voni 30 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, përkatësisht deri në orën 24 më 5 maj.