Shkup – Pres-shërbimi i Kombeve të Bashkuara (KB), pasditen e së enjtes e ka ndërruar paralajmërimin për takimin e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-Mun me shefin e diplomacisë së Maqedonisë Antonio Milloshoski në të cilin ishte shënuar si ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë.
Por, emri i shtetit është korrigjuar më pas me referencën e përkohshme “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”.
Nga pres-shërbimi madje nuk kanë dhënë sqarim zyrtar për ndryshimin e bërë në paralajmërimin për takimin Milloshoski-Ban Ki-Mun.
Në takim, siç është paralajmëruar, Milloshoski ka prezantuar kandidaturën e Maqedonisë për anëtarësim në Këshillin për të drejtat e njeriut për periudhën 2013-2016, ku është informuar për rrjedhën e dialogut politik ndërmjet Maqedonisë e Greqisë nën patronazhin e KB-së dhe dimensionin ndërkombëtar-juridik të rastit të Maqedonisë e Greqisë para Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë.
Bëhet e ditur se janë këmbyer edhe mendime lidhur me procesin e reformave të Kombeve të Bashkuara, si dhe për gjendjet dhe ngjarjet e fundit në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Afërt.
Thursday, 28 April 2011 21:10