Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 09:10

Beograd – Përfaqësuesi i lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Valentin Incko vlerësoi se udhëheqësisë së Republikës Serbe i ka mbetur edhe pak kohë që të mendojë nëse plani për referendum është në interes të qytetarëve, pasi që bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë kompetencat e Gjykatës dhe Prokurorisë në BeH të shkatërrohen.

“Për të gjithë është në interes të përforcohet qeverisja e së drejtës. Bashkësia ndërkombëtare pa mëdyshje bëri të ditur se nuk do të lejojë që kompetencat shtetërore, si Gjykata apo Prokuroria e BeH-së, të shkatërrohen, ose në një mënyrë tjetër të kufizohen përmes cilitdo entitet. Kjo gjë rrezikon drejpërdrejtë Traktatin paqësor të Dejtonit, e me vetë atë edhe shtetin BeH”, deklaroi Incko për edicionin e sotëm të “Novosti”.

Në pyetjen se çka do të mundte të rrezikojë referendumi i paralajmëruar, Incko tha se nuk mund të ketë kurrfarë negociatash për kompetencat të cilat shteti i ka marrë me Traktatin paqësor të Dejtonit.

“Nëse partitë dëshirojnë sërish të negociojnë për kompetencat, atëherë këtë duhet ta bëjnë përmes procesit konstruktiv të reformave kushtetuese. Bashkësia ndërkombëtare e ndan këtë mendim dhe nuk do të lejojë të kenë sukses përpjekjet për shkatërrimin e institucioneve të jurisprudencës”, vlerëson përfaqësuesi i lartë.

Parlamenti i RS-së më 13 prill e miratoi vendimin e kryetarit të Millorad Dodik për shpalljen e referendumit në të cilin qytetarët e këtij entiteti duhet të shprehen nëse i mbështesin ligjet të cilat i vendosi Incko, veçanërisht për Gjykatën dhe Prokurorinë e BeH-së.