Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 09:16

Tripoli – Lideri libian Moamer Gadafi është i gatshëm për armëpushim që të ndalojnë luftimet në shtet, por në kushte të caktuara, deklaroi mbrëmë presidenti afrikanojugor Jakob Zuma.

Ai ishte dje për vizitë në Tripoli dhe njoftoi se Gadafi është i gatshëm që ta pranojë iniciativën e Unionit Afrikan për ndërprerjen e luftimeve.

Zuma megjithatë citoi se Gadafi kërkon “që të gjithë libianëve t’u jepet mundësia  që të bisedojnë midis njëri-tjetrit”, që të vendosin për fatin e vendit. Presidenti afrikanojugor nuk tha nëse Gadafi është i gatshëm që ta dorëzojë pushtetin që është kërkesa kryesore e kryengritësve.

Para bisedimeve në Tripoli, Zuma tha se fushata e NATO-s në Libi i rrezikon përpjekjet e UA-së për arritjen e marrëveshjes paqësore.

Televizioni libian mbrëmë publikoi inserte nga takimi i Zumas dhe Gadafit. Kjo është hera e parë që lideri libian të shihet në publik pas 11 majit.