Uashington – Arrestimi i ish liderit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq është një hap i rëndësishëm, i cili do t’i ndihmojë popullit serb që ta lë trashëgiminë nga konfliktet në vitet e 90-ta, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden në një bisedë telefonike me presidentin serb, Boris Tadiq
Bajden e përshëndeti guximin dhe vendosshmërinë e presidentit Tadiq, për zbatim të aksionit të tillë dhe shfaqi besim në aftësinë e Serbisë për të vazhduar të përparojë në rrugën e integrimit euroatlantik.
Paraprakisht, presidenti amerikan, Barak Obama në qytetin francez Dovil, ku ndodhet për takimin e G-8-shit, e përshëndeti presidentin serb Boris Tadiq për “përpjekjet e tij vendimtare”, të cilat mundësuan që të arrestohet Ratko Mlladiqi.
“Sot është ditë e veçantë për familjet e shumë viktimave të Mlladiqit, për Serbinë, për Bosnjën, për SHBA-në dhe për të drejtën ndërkombëtare. Nuk do të mund t’i kthejmë të vdekurit, por Mlladiq tash do të përgjigjet për viktimat në gjykatë”, deklaroi Obama.
Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se, arrestimi i Mlladiqit do të hapë një faqe të re në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë.
“Nga momenti kur komandanti i armatës së serbëve të Bosnjës u akuzua për gjenocid në vitin 1995, arrestimi i tij ishte detyrë prioritare për bashkësinë ndërkombëtare dhe Qeverinë e SHBA-së”, deklaroi zëvendësshefi i zyrës së Departamentit të Shtetit, Mark Toner.
Ai theksoi se për Serbinë ishte me rëndësi të përballet me këtë person dhe se kjo e tregon raportin serioz ndaj BE-së.
Friday, 27 May 2011 10:27