Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 10:44

Uashington – Dominik Stros-Kan dha dorëheqje nga funksioni drejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Dorëheqja hyn në fuqi menjëherë. Ai e mori funksionin drejtor i FMN-së në nëntor të vitit 2007 me mandat prej pesë vjet.

“Me ndjenjë të pikëllimit të pafund, jam i detyruar të dorëzoj lutje deri te Këshilli i drejtorëve që të lirohem nga funksioni drejtor ekzekutiv i FMN-së”, theksoi Stros-Kan.

Shefi i deritanishëm i Fondit në mënyrë kategorike i hodhi poshtë akuzat për abuzim seksual. Në letrën deri te Këshilli i i drejtorëve të FMN-së, Stros-Kan thekson se “për momentin mendon para së gjithash për bashkëshorten, për fëmijët, për anëtarët e familjes dhe për miqtë”.

“Mendoj edhe në kolegët me të cilët gjatë tre viteve të kaluara arritëm suksese të mëdha”, shton ai në letër.

“Në mënyrë kategorike i hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura kundër meje. Dëshiroj ta mbrojë atë strukturë të FMN-së të cilës i shërbeva me dinjitet dhe dëshiroj t’i përkushtoj të gjitha forcat dhe energjinë për dëshmimin e pafajësisë sime”, shtoi Stros-Kan.

Nga FMN-ja njoftuan se Fondi në kohën më të shpejtë do të fillojë me procedurën për zgjedhje të drejtorit të ri ekzekutiv. Përkohësisht këtë detyrë do ta ushtrojë Xhon Lipski.

Në gjykatën në Nju-Jork sërish u shqyrtua kërkesa e avokatëve të Stros-Kanit për lirimin e tij me kusht edhe pse tentimi paraprak për një gjë të këtillë përfundoi pa sukses. Paraqitja e ardhshme e Stros-Kanit para gjykatës në Nju-Jork do të jetë gjatë ditës së nesërme.