Shkup – Në promovimin e monografisë “Shtëpia e Përkujtimit të Nënë Terezës”, të martën, në Shkup, sërish është keqpërdorur dhe keqinterpretuar origjina shqiptare humanistes shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza.
Akademikja Katica Qullakova, në fjalimin e saj si bashkautore e monografisë, ka thënë se shkupjania Nënë Tereza është maqedonase, me origjinë shqiptare dhe vllehe e cila, sipas saj, si qytetare i takon Indisë dhe tërë botës.
Ajo këtë e ka theksuar gjatë promovimit të kësaj monografie, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska-Milevska.
“Ne sot flasim sërish për Nënë Terezën dhe përtërijmë rrëfimin për një shkupjane, një maqedonase, një gruaje me prejardhje shqiptare dhe vllehe, e cila gjatë jetës ishte misionare, e cila si qytetare i takonte Indisë dhe tërë botës, e cila fitoi çmimin Nobel, ndaj ne përballemi me një fakt se bëjmë një rrëfim për një madhështi, e cila nuk është vetëm personalitet historik, por edhe simbol për globin dhe të gjitha kohërat”, ka thënë Qullakova.
Drejtoresha e Shtëpisë Përkujtimore “Nëna Terezë”, Renata Kutera-Zdravkovska, ka thënë se kjo monografi është botimi i dytë që nxjerrë në dritë ky institucion nacional.
Monografia është e pasuruar me disa foto, tekste nga shumë autorë, ndërsa ajo është përpiluar nga redaksia e përbërë prej Katica Qukallova, Valentina Bozhinovska, Agim Poloska, Aleksandar Gjorgjiev dhe Marjan Ristov.
Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës u ndërtua në një lokacion tjetër nga vendi ku gjendej shtëpia e vjetër e familjes Bojaxhiu në sheshin e Shkupit. Ajo nxiti debate në mesin e shoqatave shqiptare dhe protesta, pas një vendimi që ishte ndërmarrë nga qeveria e kaluar.
Tuesday, 31 May 2011 19:59