Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 13:40

Prishtinë – Njëmbëdhjetë grupe muzikore do të jenë nën ethet e garës së vetme të rock – muzikës në Kosovë.

Koncerti, i cili për të dhjetën herë me radhë do të bëjë bashkë muzikantë të rinj të kësaj rryme, ka seleksionuar grupet që do të “luftojnë” për të triumfuar në “Rock për Rock”. Katër grupe nga kryeqyteti kosovar, dy nga Mitrovica, dy nga Prizreni, dy nga Theranda dhe një rock grup gjilanas, përbëjnë listën e konkurrentëve për edicionin e sivjetmë të festivalit.

“Rock për Rock” do të pushtojë skenën e teatrit “Oda” në ditën e tetë të qershorit. “Freak Ëeek”, “The Frames”, “Stickers”, “Noise Seed”, “Torch”, “Dim”, “Black Storm”, “Throne”, “Edu Band”, “Neë Age Rock” dhe “Naimi jam”, janë njëmbëdhjetësha që do ta shkundë skenën bashkë me mysafirët.

Shkëlzen Veseli, organizator i “Rock për Rock”, është shprehur i kënaqur me interesimin e rockerëve të rinj për t’i thënë “po” thirrjes së koncertit tradicional.

“Nuk është keq. Ka bende që kanë konkurruar vitin e kaluar, por ka edhe disa grupe që konkurrojnë për herë të parë”, ka thënë Veseli.

Duke zbuluar se mysafir i koncertit do të jetë grupi i vajzave “Desert Roses” – që triumfuan në edicionin e nëntë – Veseli ka përmendur një veçanti të edicionit të sivjetmë.

“Sivjet ka një numër më të madh të femrave vokaliste, në krahasim me më parë që ka pasur pak femra në rock muzikë”, ka thënë Veseli, derisa ka shprehur bindjen se në këtë fakt ka ndikuar paraqitja e “Desert Roses”.

Megjithëse feston ditëlindjen e dhjetë, sipas Veselit, festivali nuk do të organizojë një edicion ndryshe. “Do të jetë sikurse vitin e kaluar. Do të ketë muzikë, aq sa ka para”, ka thënë ai.

Veseli ka theksuar kontributin e festivalit për zhvillimin e muzikës rock nga brezat e rinj.

“Jemi të kënaqur që shumica e bendeve që kanë dalë nga festivali kanë vazhduar të bëjnë muzikë dhe të paraqiten nëpër festivale të ndryshme”, ka thënë ai.

Agim Berisha, organizator tjetër i “Rock për Rock”, ka thënë se niveli i muzikës së prezantuar në festivalin e vetëm të muzikës rock në Kosovë është ngritur.

“Përgjithësisht jemi të kënaqur. Normalisht ata që kanë marrë pjesë edhe më herët janë më të avancuar”, ka thënë Berisha, derisa ka komentuar numrin e atyre që i janë drejtuar festivalit.

“Po vazhdon trendi i viteve të kaluara, por do të kishim dëshirë të ketë edhe më shumë”, ka thënë ai.

Sipas tij, juria e cila do të bëjë përzgjedhjen e fituesit të edicionit jubilar të festivalit, do të përcaktohet disa ditë para festivalit.

“Juria sikurse tradicionalisht do të caktohet në dy – tri ditët e fundit dhe do të përbëhet nga muzikantë të vjetër”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se fituesi i “Rock për Rock” edhe sivjet do të shpërblehet me incizimin e një kënge.