Tiranë – Shqipëria përfshihet në 901 Vendet Antike të Spektaklit në Evropë dhe Mesdhe, pas nënshkrimit të marrëveshjes për këtë qëllim, sot në Muzeun Historik Kombëtar.
Kjo marrëveshje konsiston në përfshirjen e zonave antike të Shqipërisë në Itinerarin Kulturor të Vendeve Antike të Spektaklit dhe u firmos sot në kuadër të Konferencës së Tretë Vjetore Ndërkombëtare me temë: “Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi lokal – burimet, strategjitë dhe politikat për Shqipërinë, si pjesë e Bashkimit Evropian”.
Rektori i Universitetit Evropian të Turizmit në Shqipëri, Salvatore Messina, promotori i kësaj marrëveshjeje, e cilëson si një mundësi e mirë për zhvillimin e zonave që do të përfshihen në këtë projekt.
“Akti i bashkëpunimit në pikat e tij thekson se aktivizimi i të gjithë burimeve shtetërore, apo private që operojnë në këto zona do të sjellë zhvillimin lokal të territorit”, tha Messina.
Sipas tij, të gjitha vendet që janë pjesë e këtij projekti marrin përsipër zhvillimin e aktiviteteve në zonat antike, ku kryesisht synohet nevoja e informimit të brezit të ri dhe gjetja e metodave bashkëkohore për zhvillimet potenciale të turizmit.
Gjithashtu, pjesë e marrëveshjes është përfaqësimi i secilit vend në komitetet tekniko-shkencore. Rektori i EUFT, Messina, tha se çdo vend pjesëmarrës do të ketë përfaqësuesin e vet në komitetin shkencor të Itinerarit Kulturor të Vendeve Antike të Spektaklit, i cili do të ndjekë të gjitha projektet.
Drejtori i Turizmit dhe Kulturës në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Klodjan Pajuni vlerësoi projektin “Shqipëria është Kulturë” si një aktivitet që pati një performancë të suksesshme në Fier dhe Lezhë. “Bashkëpunimi real i të gjithë partnereve, që nga qeveria e deri tek operatorët e thjeshtë, bëjnë të mundur këtë iniciativë. MTKRS ka në prioritetet e saj zhvillimin e aktiviteteve kulturore në Tiranë dhe rrethe”, tha Pajuni.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Franka Paloka, shprehu nevojën urgjente për vendin të domosdoshmërisë së planeve, që sjellin zhvillim të qëndrueshëm të turizmit. “Zhvillimi i ardhshëm duhet të përputhet me kapacitet që ka vendi”, tha Paloka.
Marrëveshja u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm i Turizmit dhe Kulturës në MTKRS, Klodian Pajuni, Drejtorja e ATA, Franka Paloka, Presidenti i Distriktit Trapani – Itali, Girolamo Turano, Kryetari i Bashkisë në Lezhë, Viktor Tushaj, drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali dhe rektori i EUFT, Salvatore Messina.
Monday, 30 May 2011 15:02