Prishtinë – Në Prishtinë u mbajt tryeza me temë “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, në të cilën u tha se programi për drejtshkrimin e gjuhës shqipe ka lehtësuar shumë përdorimin e shkrimit, duke bërë korrigjimin automatik të gabimeve.
Por, ky program nuk e njeh ende gramatikën e gjuhës shqipe.
Studiues nga Kosova dhe Shqipëria thanë se korrektuesi i drejtshkrimorit të gjuhës shqipe, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në korrigjimin automatik të gabimeve.
Lulzim Shishani, drejtor i qendrës për edukim dhe përparim, tha se programi për drejtshkrim, ka pasur një ndikim të madh në përmirësimin e cilësisë së shkrimit të gjuhës.
Ai tha se ky korrektor nuk i korrigjon gabimet sintaksore, por vetëm ato të fjalës.
Qendra për edukim dhe përparim është duke punuar që në këtë program të shtohen komponentët dhe moduli i korrigjimit sintaksor. Profesor Isa Bajqinca, tha se ky program nuk e njeh ende gramatikën e gjuhës shqipe. Ai tha se gramatika kërkon një program tjetër.
Programi për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, aktualisht ka mbi katër milion trajta, forma fjalësh, të cilat nuk lejon të shkruhen gabimisht. Ky program që është realizuar nga qendra për edukim dhe përparim, është vendosur për herë të parë në internet në vitin 2005. Gjatë tryezës “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, u përurua fjalori i termave të informatikës dhe u shënua përvjetori i daljes së parë në skenë të programit për drejtshkrimin e gjuhës shqipe.
Friday, 27 May 2011 13:46