Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 08:22

Tiranë – Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e Ekspozitës “Viza për lirinë, diplomatët spanjollë përballen më holokaustin”, organizuar nga Shtëpia “Stefarad Izrael”, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Duke iu referuar Holokaustit, Berisha deklaroi se ky është krimi më i madh mbi baza etnike në historinë moderne.

“Në historinë njerëzore ka pasur shumë krime, por në historinë moderne ky ka qenë krimi më i madh mbi baza etnike, ndaj dhe sa më shumë ta nderojmë, sa më shumë ta rikujtojmë, të nderojmë viktimat, të nderojmë ata që kontribuan, hedhim më shumë dritë në të ardhmen drejt së cilës ecim”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Duke iu drejtuar ambasadorit spanjoll, Berisha u shpreh se “është nder që keni zgjedhur Tiranën për të sjellë këtë ekspozitë”.

“Në marrëdhëniet e komplikuara në shekuj midis kombit tuaj dhe atij hebre, Shqipëria gjithnjë ka qenë e pranishme, në një mënyrë ose tjetër, natyrisht jo si vend i pavarur, por si një komb, në një perandori që adaptoi disa standarde të tjera qëndrimi ndaj kombit hebre”, tha Berisha.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, theksoi Kryeministri, “diplomatë spanjollë, suedezë, apo diplomatë të vendeve të tjera neutrale bënë detyrën e tyre shumë fisnike. Vendi im nuk kishte shans tjetër përveçse të ishte i pushtuar në Luftën e Dytë Botërore, por shqiptarët, megjithëse në pushtim, bënë edhe ata detyrën e tyre në kushte shumë të vështira dhe numri i qytetarëve me origjinë hebreje në Shqipëri u rrit, asnjë nuk u dorëzua. Kjo është një gjë që e afron më shumë Shqipërinë dhe të gjithë ata që qëndruan në rrethana të ndryshme kundër Holokaustit dhe kjo përbën një trashëgimi të shkëlqyer midis kombit shqiptar dhe atij hebre”.

Ndërsa ambasadori spanjoll, Rafael Tormo Perez, u shpreh se “Shqipëria nuk ka qenë një ndër vendet ku kolegët tanë spanjollë kanë zhvilluar aktivitetin e tyre dhe për këtë ka pasur dy arsye kryesore. E para, sepse nuk ka pasur diplomatë spanjollë në Shqipëri dhe së dyti, sepse nuk ka pasur nevojë, pasi Shqipëria është një vend shumë i njohur për mikpritjen e saj ndaj të huajve. Mikpritja është një nga karakteristikat kryesore të traditës dhe realitetit shqiptar”.

Në homazh për nder të diplomatëve spanjollë, kjo ekspozitë do të vijojë në datën 5 qershor, në Kiev.