Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 09:41

Shkup – Kryetari i komunës së Çairit Izet Mexhiti sot do të presë një delegacion të lartë intelektual dhe akademik nga Shqipëria.

Delegacionin dymbëdhjetë anëtarësh e kryesojnë: Rezart Gashi, jurist dhe ekonomist i diplomuar-drejtor i Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare,  Prof. Dr. Hulusi Hako, historian e filozof, Drejtues i Komisionit Zonal për Shqipërinë dhe Prof. Dr. Emil Lafe, gjuhëtar pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pas takimit në Këshillin e Komunës së Çairit do të mbahet tribunë me temë: Integrimi kulturor kombëtar shqiptar, sfidë apo mundësi (Integrimi i programeve dhe teksteve mësimore). Në tribunë janë ftuar pjesëmarrës nga Universitetet e vendit, mësimdhënës fillor dhe të mesëm shqiptarë nga e tërë Maqedonia, albanologë dhe profesorë të dalluar.

Pas tribunës, delegacioni do t’i vizitojë Muzeun e Lirisë, monumentin e Skënderbeut, si dhe Shtëpinë e Nënës Terezë.

Organizimi bëhet nën ombrellën e Komunës Çair dhe Komisionit për Maqedoni pranë Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare.