Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 14:29

Gjirokastër – Edhe pse në Gjirokastër ka nisur sezoni i ri turistik, pjesë të kalldrëmeve në zonën muzeale janë të dëmtuara. Në lagjen Pazari i Vjetër, Varosh, Manalat, Dunavat, etj, rrugicat e kalldrëmta kanë segmente të shumta, ku mungojnë gurët dhe në vend të tyre kanë mbetur vetëm gropa. Për shkak të mungesës së kanalizimeve në rrugët e gurta, sa here bie shi vërshojnë mbeturinat dhe ujërat e pista.

Edhe pse disa herë nga ana e bashkisë është ndërhyrë për rikonstruksionin e rrugëve, ende problemi mbetet shqetësues. Shefi i shërbimeve në bashkinë e qytetit, Dasho Sejdo, pohon se në Gjirokastër ka kalldrëme të dëmtuara dhe se bashkia nuk mund të përballojë financiarisht rikonstruksionin e tyre në të gjithë sipërfaqen, për shkak të mungesës së fondeve. Por, sipas Sejdos, segmentet më të dëmtuara në disa nga këto lagje shumë shpejt do të kthehen në identitet me financime të bashkisë. Rruga e lagjes ’11 janari’ është e para, ku do të vijohet me investimin e nisur vitin e kaluar, tha kreu i shërbimeve në bashkinë e qytetit të gurtë.