Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 15:46

Prishtinë – Ajo kishte përzgjedhur vendin e saj të preferuar për të promovuar librin që “fsheh” rrëfimin për Kosovën.

Muzeu Etnologjik i Kosovës ka qenë nikoqir i promovimit të librit “Travels in Blood and Honey: becoming a beekeper in Kosova” (Udhëtimet në gjak dhe mjaltë: duke u bërë bletare në Kosovë), i autores britanike Elizabeth Gowing.

Libri, i cili në muajin prill është botuar në Britani të Madhe, pasqyron aventurën e Gowing, e cila në 200 faqeve synon të transmetojë mesazhin se Kosova nuk është vend i gjakut, por i mjaltit.

Me rastin e promovimit të librit në Kosovë, është shprehur e kënaqur që ka pasur rastin t’ua ofrojë librin personazheve të rrëfimit që ajo ka përthekuar në libër.

“Shumica prej jush që jeni këtu, jeni personazhe të librit dhe më duket sikur jam në një skenë filmi. Nuk e di a jam në realitet apo nëpër faqe të librit”, ka thënë Gowing. “Faleminderit për ata që kanë qenë pjesë e udhëtimeve të mia nëpër gjak dhe mjaltë”, ka shtuar ajo.

Me rastin e promovimit të “Travels in Blood and Honey: becoming a beekper in Kosova”, ka folur edhe Gazmend Bërlajolli, i cili ia ka mësuar shqipen Gowingut.

“Elizabeth e përshkruan Kosovën si vend shumë të çuditshëm për sytë e një perëndimori, por në anën tjetër si një vend që i ka bukuritë e veta. Duke i ruajtur këto bukuri mund të bëhet Evropë, pa pasur nevojë të ndryshojë traditën e vet”, ka thënë ai.

Gowing për shumë vjet ka jetuar në Kosovë. Është e njohur për aktivitetet e saj vullnetare dhe për promovimin e traditave të vendit. “Udhëtimet…” deri tani është botuar vetëm në anglisht. Por siç ka thënë vetë autorja kohë më parë për gazetën, ai pritet të botohet edhe në shqip.