Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 09:50

Strugë – Për tre ditët e kaluara, si zakonisht Karvani i librit shqiptar në Maqedoni, destinacionin e fundit e kishte në Strugë. Si edhe vitet tjera, disa nga shtëpitë botuese shqiptare prezantuan librat e tyre para lexuesve struganë, të cilët, siç theksojnë vetë përfaqësuesit e shtëpive botuese, janë të kënaqur më shumë se nga çdo qytet tjetër në Maqedoni, pasi që karvani kalon nga Kumanova nëpër të gjitha qytetet shqiptare dhe ndalon në Strugë.

“Në përgjithësi jemi të kënaqur me lexuesit. Posaçërisht struganët kanë pasur më shumë interesim dhe veçanërisht nga Struga jemi më shumë të kënaqur”, ka deklaruar Selam Sulejmani, përfaqësues i Shtëpisë botuese Logos A.

Gati të gjithë pjesëmarrësit janë të kënaqur me shitjen e librave dhe dhe interesimin e lexuesve në Strugë, por gjëja e vetme që atyre iu lë përshtypje negative është mos mbështetja nga institucionet përkatëse.

Ata theksojnë se nuk kanë aspak mbështetje as nga institucionet komunale, as nga ato qendrore, por, megjithatë, janë të kënaqur që gjejnë mbështetje nga më të rëndësishmit, pra nga lexuesit e librit.

“Nuk do të kishim dashur më shumë, të paktën të bëhej një mbështetje dhe organizim i panairit të librit, siç bëhet në Prishtinë”, ka deklaruar Arben Kondi nga Shtëpia botuese Çamëria.

Karvani i librit shqiptar në Maqedoni organizohet që disa vite me radhë, ku nga disa ditë shtëpitë botuese qëndrojnë nëpër të gjitha qytetet shqiptare në Maqedoni, – Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë dhe Strugë.