Prishtinë – Ilire Zajmi-Rugova, ka fituar çmimin special për poezi “Ventennale”, në konkursin ndërkombëtar të Qendrës për të Rinj dhe Poezi, në Triugji të Milanos, në Itali.
Ilire Zajmi shkruan poezi, prozë, publicistikë. Ajo ka botuar përmbledhjet me poezi: “Këmbanat e mëngjesit”, më 1991, Prishtinë dhe “Baladë e bardhë”, romanin “Fashitja e ëndrrave rebele” më 1996, librin publicistik “Uno treno per Bllace” ose “Një tren për Bllacë”, ku është bashkëautore me gazetarin italian, Filipo Landi.
Gjithashtu është prezantuar me poezi dhe prozë, si bashkautore në antologjitë letrare: ‘Take të larta’, ‘Gjuha e dashurisë poetike’ që është edhe në gjuhën italiane dhe angleze, në antologjinë “Nënës” dhe në antologjinë e përkthyer edhe në gjuhën rumune ‘Altri mondi’ Editura Do – Minor.
Është autore e shumë shkrimeve, dokumentareve dhe intervistave me personalitete të ndryshme.
E pyetur si ndodhi të merrte pjesë në këtë konkurs, ajo ka thënë se ka qenë një ftesë e zakonshme mes miqsh, e cila i është bërë për faktin që punon për një agjenci italiane dhe flet gjuhën italiane.
“Miku im, gjithashtu poet, i cili më dërgoi këtë ftesë, më tha është mirë që të konkurrosh pasi duket të jetë konkurs sfidues. Poezitë nevojitet që të jenë të përkthyera në gjuhën italisht, prandaj të lutem, shikoje këtë mundësi dhe është mirë të aplikosh.Nuk jam nga ata poetë, të cilët vrapojnë pas çmimeve mirëpo më bëri përshtypje sepse kishte kategori të ndryshme të çmimeve, të cilat do të ndaheshin për të rinj, për shkrimtarët që jetojnë jashtë Italisë dhe që flasin italishten sepse ato poezi, patjetër duhej të ishin dhe në gjuhën origjinale dhe të përkthyera në gjuhën italiane”, ka thënë Zajmi Rugova.
Kriteri ishte që secili poet të konkurroj me tri poezi. Poezitë duhej të ishin në gjuhën amtare dhe gjithashtu të përkthyera në gjuhën italiane.
Poezitë me të cilat ka konkuruar poetja janë :”Të të them”, “Buzëqeshja e Andës” dhe “Baladë për vendlindjen”
Për Ilire Zajmin çmimi është edhe një shtytje, që të vazhdojë më tutje për të krijuar.
“Ky çmim, për mua në radhë të parë është një mirënjohje për punën time, për atë që kam hedhur në letër. E dyta, besoj që jo vetëm për mua, por dhe për vendim tim, është një mirënjohje, sepse një poet nga Kosova të marrë një çmim jashtë vendit, si në këtë rast në Itali, nuk do të thotë pak sepse fundja, fjala e shkruar përfaqëson atdheun tim dhe vetëm ajo mund të shpërthejë kufij. Poezia depërton pa vizë, pa pasaportë edhe atje ku ndoshta ne nuk kemi mundësi të shkojmë fizikisht. E këtë mund ta bëjë vetëm arti dhe kjo është pikërisht ajo mrekullia, e cila tejkalon të gjithë kufijtë e mundshëm, barrierat dhe të gjitha muret reale dhe imagjinare”, është shprehur autorja.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të bëhet më 5 qershor, në Triugji të Milanos, në Itali.
Friday, 22 April 2011 09:08