Berat – ‘Epidemisë’ të betonizimit nuk i ka shpëtuar as qytetit historik i Beratit. Qyteti emblemë, që për shkak të vlerave të veçanta të trashëgimisë kulturore, është marrë në mbrojtje nga UNESCO, vuan si të gjitha qytetet e tjera betonizimin e pamëshirshëm në kurriz të sipërfaqeve të gjelbëra.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, është shprehur se edhe Berati është prekur nga informaliteti në ndërtim, por fatmirësisht qendra historike nuk ka shumë kërcënime krahasuar me qytetet e tjera.
“Aty janë identifikuar rreth 42 shkelje të rregullores për ruajtjen dhe standardet që duhet të kenë monumentet, shtëpitë karakteristike dhe ato që janë shpallur muze të kategorisë së parë”, tha Nasufi.
Sipas tij, këto raste nuk kanë të bëjnë me betonizim, por vetëm me ndryshime destinacioni dhe ndërhyrje në fasada. Fadil Nasufi shprehet se ajo që është problem dhe kërkon korrigjm të menjëhershëm është zona përreth zonës muzeale, ku ka shumë objekte pa leje, të cilat janë futur në proçes legalizimi.
Sipas kryetarit të bashkisë së Beratit, objektet informale shtrihen kryesisht në faqen perëndimore të kalasë dhe në pjesën verilindore të kodrave përreth kalasë.
“Të gjitha këto objekte janë në proçedurë verifikimi dhe identifikimi, me qëllim që në projektet e mëvonshme të bëhen korigjimet e nevojshme për arkitekturën dhe përshtatjen e tyre me ndërtimet karakteristike, që të mos prishet imazhi i panoramës së këtij qyteti historik”, tha Nasufi.
Bashkia e Beratit është përjashtuar nga lejet e ndërtimit dhe menaxhimi i qëndrës historike të qytetit, por sipas kryetarit të saj, kjo nuk duhet t’i vërë në gjumë dhe t’i pengojë për të ngritur zërin në mbrojtje të vlerave unike që reflekton qyteti i Beratit.
Në të njëjtën linjë shqetësimi janë edhe qytetarët e thjeshtë dhe përfaqësuesit e veprave të kultit, të cilët denoncojnë zaptimin e hapësirave pranë kishave dhe xhamive, pjesa identifikuese e shkëlqimit të këtij qyteti historik.
|
|
Sunday, 17 April 2011 08:27