Kumanovë – Gjatë së shtunës në lokalet e fakultetit të Administratës së Biznesit në Kumanovë u promovua libri “Këngë nga Karadaku” i autorit Ismail Ganiu. Autori për një jetë të tërë (më shumë se 40 vite) ka punuar si arsimtar i gjuhës shqipe në Likovë. Edhe pse është libri i tij i parë, krijimtaria e tij është një intuitë krijuesi i cili ka arritur të depërtojë në shumë pore të jetës.
“Me vullnetin një intelektuali të formuar, Ismail Ganiu me veprën poetike para lexuesit shfaqet me përgjegjësi. Në librin e tij poetik edhe pse të titulluar “Këngë nga Karadaku”, ai lë përshtypje për një hapësirë më të gjerë krijuese dhe jo vetëm nga Karadaku, por edhe nga hapësira më të gjera. Ai shkruan rrjedhshëm ashtu si i vjen ideja dhe mendimi pa e stilizuar shumë por me një kuptim të qartë. Nuk e ngarkon krijimtarinë ngase ai shkruan për të gjitha gjeneratat, për të gjitha moshat. Libri ka vlera të mirëfillta poetike ku çdo lexues mund te gjejë veten e tij, se ai mund të shërbejë edhe për nxënësit e shkollave dhe më gjerë si lekturë shkollore” ka thënë recensenti i librit Ibrahim Bakiu.
Ndërkaq redaktori i librit Selajdin Shabani ka thënë libri në fjalë është për të gjitha moshat.
“Tetë ciklet e Ismail Ganiut në librin “Këngë nga Karadaku”, ngërthejnë një periudhë të gjatë jetësore. Në to mund të gjesh shumë krijime interesante edhe për të rritur, vargje satirike, këngë për fëmijë, por edhe për më të vegjlit. Shumë vargje shërbejnë edhe si këshilla jetësore. Dhe e gjithë kjo e bën edhe më të larmishëm këtë libër për ta lexuar. Shumë krijime të tij viteve të fundit janë bërë edhe këngë për fëmijë. Përmes këtij libri lexuesi i çfarëdo moshe qoftë do ta njoh edhe më mirë pjesën e Karadakut të Maqedonisë, do të njoh shpirtin e kësaj popullate do të njoh jetën e tyre në të kaluarën por edhe në të tashmen” ka thënë Shabani
Fjalë rasti ka mbajtur edhe kryetari komunës së Likovës i cili evokoi kujtime nga mësuesi i tij kur ishte vështirë për të botuar si dhe kritiku i artit Zejadin Ismaili, kolegu Florim Zulfiu i cili ka bërë shumë kompozime muzikore, këngët e të cilit kanë marr pjesë në shumë festivale si dhe bashëkohaniku, Qani Aliti.
Shumë vargje të tij sot janë lëngë edhe për fëmijë por edhe për të rritur në mesin e të cilave i këndon edhe këngëtari Xhezair Elezi etj.
Sunday, 03 April 2011 15:47