Prishtinë – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, raportoi sot për 100 ditët e punës. Në një konferencë me gazetarë, Beqaj ndër të arriturat përmendi programin e zhvillimit ekonomik, procedurat për privatizimin e PTK-së dhe ndërtimin e Termocentralit të ri.
Ndërprerjen e marrëveshjes ndërmjet qeverisë dhe FMN-së për financim të buxhetit të Kosovës, zyrtarët e qeverisë vazhdojnë të mos e cilësojnë si dështim.
Ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj, edhe njëherë përsëriti se bëhet fjalë për ristrukturim të saj, dhe se nuk do të ketë krizë financiare.
Duke raportuar për 100 ditët e punës së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Beqaj, ndër të arriturat përmendi hartimin e programit për zhvillimin ekonomik të vendit 2011-2014 dhe planit të veprimit.
Ministri Beqaj tha se gjatë 100 ditëve është marrë edhe vendimi, dhe janë duke u zhvilluar procedurat për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës.
Ndër angazhimet 100-ditëshe të ministrisë, Beqaj përmendi edhe procedurat për privatizimin e furnizimit dhe distribucionit të KEK-ut, pastaj ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, shpërbërjen e Kosovës A dhe hartimin e disa ligjeve.
Monday, 06 June 2011 14:36