Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 15:17

Prishtinë – Zyrtarë të Malit të Zi prezantuan sot në Prishtinë ofertën turistike për verën e sivjetshme.

Ata ftuan kosovarët që t’i kalojnë pushimet në bregdetin malazias, duke thënë se çmimet janë të volitshme, e njëkohësisht siguria e lartë për të gjithë turistët.

Mali i Zi vazhdon të ketë në fokus tërheqjen e turistëve nga Kosova. Për këtë qëllim, drejtues të Organizatës Kombëtare të Turizmit të këtij vendi, prezantuan në Prishtinë ofertën turistike për verën e sivjetshme. Menaxherja e kësaj organizate, Liljana Çukiq, tha se fushata e quajtur “Deti i Malit të zi ju fton” përmban dy pako aranzhmanesh.

“Pakoja e parë në sektorin privat ka çmim mjaft të favorshëm, për shtatë ditë është prej 42 deri në 49 euro jashtë sezonit, ndërkaq gjatë pikut nga 70 deri në 77 euro për shtatë ditë. Kurse paket aranzhmani në sektorin hotelier jashtë sezonit nga 72 deri në 154 euro, kurse gjatë sezonit nga 1 korriku deri më 31 gusht nga 155 deri në 280 euro”, tha ajo.

Ndërkaq, Merita Rexha, nga Organizata Turistike e Ulqinit, ftoi kosovarët t’i kalojnë pushimet në Ulqin. Ndryshe, sipas zyrtarëve, aktualisht Mali i Zi ka mbi 300 hotele dhe motele me rreth 40 mijë shtretër, të klasifikuar sipas standardeve ndërkombëtare.