Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 17:52

Prishtinë – Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës ende nuk kanë dhënë hollësi rreth takimeve të zhvilluara me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili po qëndron ende në Kosovë.

Merret vesh se është diskutuar për çështjet e buxhetit, ndërkohë që një vlerësim rreth stabilitetit financiar në Kosovë delegacioni i FMN-së pritet ta publikojë gjatë kësaj jave.

Delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përfunduar misionin dyjavor në Kosovë, për t’i harmonizuar qëndrimet e tij me Qeverinë e Kosovës. Zyrtarë brenda qeverisë konfirmojnë se është diskutuar për çështje që lidhen me Buxhetin e Kosovës, por nuk bëjnë të ditur nëse është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

Burime brenda zyrës së FMN-së në Prishtinë, thonë se delegacioni i FMN-së gjatë kësaj jave do të japë një vlerësim për stabilitetin financiar në Kosovë.

Raportet në mes FMN-së dhe Qeverisë së Kosovës ishin zbehur pas vendimit të qeverisë për rritjen e pagave të shërbyesve pa pajtimin e këtij institucioni. Nuk dihet nëse është arritur marrëveshje për këtë çështje, por mësohet se janë përafruar qëndrimet në këtë fushë dhe Kosova për t’i mbuluar nevojat financiare do të aplikojë për një hua 108 milion euro në FMN. Me këtë FMN-ja do të japë garanci për Kosovën që t’i lejohen mbi 100 milionë euro të tjera nga Komisioni evropian dhe Banka Botërore.