Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 14:00

Tiranë – Ministria e Financave do të ketë gati në fillim të muajit qershor draftin e Buxhetit të Shtetit të rishikuar. Sipas burimeve konfidenciale, nga niveli jo i mirë i të ardhurave, si dhe rritja e shpenzimeve gjatë 4 mujorit të parë të këtij viti, pritet që buxheti i rishikuar të rezultojë me shkurtime fondesh për sektorë të caktuar.

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave për katër muajt e parë të vitit ishte 103.7 miliardë lekë, me një rënie prej 0.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Shpenzimet arritën vlerën e 119.5 miliardë lekëve, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë. Kjo tendencë e të ardhurave dhe shpenzimeve solli një rritje të fortë të deficitit buxhetor, që për katër muajt e parë të vitit preku vlerën e 15.8 miliardë lekëve, ose 13 herë më shumë krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2010.